Nga Gazeta ‘Si’-Në zgjedhjet parlamentare të 21 majit në Greqi po marrin pjesë në garën elektorale edhe shtatë emigrantë shqiptarë, që jetojnë prej vitesh në vendin fqinj.
Fatos Malaj dhe Niko Bilika kandidojnë për partinë PASOK, përkatësisht në Athinë edhe në Selanik.


Tre kandidatët e tjerë janë Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari të cilët garojnë me partinë “Siriza” në Selanik dhe Evia.



Sidorela Kalthi konkurron për Partinë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami kandidon në Athinë me nismën “MERA 25”.

Sipas Zërit të Amerikës, shumica e kandidatëve nga komuniteti shqiptar janë të rinj të talentuar nga brezi i dytë i emigrantëve që janë arsimuar në Greqi dhe Angli dhe janë përfshirë në jetën politike greke duke qenë edhe pjesë e debateve dhe përfaqësimeve në median greke.
Kryesia e Komuniteti shqiptar në Greqi organizoi një takim me 6 nga kandidatët shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të datës 21 maj 2 dhe aktivistë të komunitetit, nëpërmjet platformës elektronike “Zoom” i tha Zërit të Amerikës sekretari organizativ Irfan Abazaj.
Sipas zotit Abazaj për komunitetin shqiptar në Greqi konsiderohet shumë pozitiv kandidimi i shqiptarëve për zgjedhjet parlamentare greke si shenjë e integrimit dhe përfshirjes në jeten social – politike greke.
Televizionit Tribuna i cili transmeton në gjuhë shqipe në Athinë, thotë se që nga viti 2011, kur Greqia miratoi Ligjin e ri për nënshtetësinë deri më 31 dhjetor të viti të shkuar, nënshtetësinë greke e kanë përfituar 115.815 shtetas shqiptarë.
Nga kjo kategori emigrantësh shqiptarë, rreth 87 mijë, sipas përllogaritjeve parapake kanë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare greke të 21 majit.
Emigrantët shqiptarë në Greqi përballen me sfida që kanë të bëjnë kryesisht edhe me statusin e tyre të qëndrimit.
Shqetësim për ta përbëjnë vonesat kohore në lëshimin e lejeve të qëndrimit dhe pasojat e tyre në jetën e përditshme të shtetasve shqiptarë si, në sigurimin shëndetësor dhe në lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Ambasada shqiptare në Athinë tha pak ditë më parë se zyrtarja Koordinuese për Diasporën, Joneda Dodaj zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm për Politikat e Migracionit të Republikës Helene, z. Patroklos Georgiadis .
Sipas selisë diplomatike shqiptare temat kryesore të diskutimit ishin: lidhur me vonesat kohore në lëshimin e lejeve të qëndrimit dhe pasojat e tyre në jetën e përditshme të shtetasve shqiptarë si, në sigurimin shëndetësor dhe në lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.