Futboll

Zgjedhjet në FSHF, si përcaktohen delegatët dhe si votohet për presidentin


Data 2 mars është ende larg, por zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë aktualisht gjithë vëmendjen. Ka filluar që tani një luftë shumë e ashpër, ku është përfshirë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në cilësinë e aksionerit të Tiranës. Presidenti aktual, Armand Duka, kërkon mandatin e 6-të dhe akuzon politikën për ndërhyrje.

Kush voton në Asamble
Presidenti i ri i FSHF-së zgjidhet në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të 2 marsit. Po kush ka të drejtë vote në këtë Asamble? Në bazë të statutit, janë 55 delegatët me të drejtë vote. Të drejtë vote kanë 10 klubet e Superiores: Tirana, Partizani, Dinamo, Teuta, Vllaznia, Laçi, Skënderbeu, Kukësi, Kastrioti dhe Egnatia, si dhe 16 klubet e Kategorisë së Parë: Besa, Lushnja, Erzeni, Tomori, Apolonia, Besëlidhja, Bylis, Burreli, Pogradeci, Maliqi, Turbina, Vora, Tërbuni, Shkumbini, Korabi dhe Butrinti.

Secili nga këta klube përcakton delegatin e vet për Asamblenë, që zakonisht është presidenti i klubit, apo kryebashkiaku, nëse klubi është në varësi të bashkisë së qytetit.

Nga zgjedhjet e fundit për presidentin e FSHF-së. Gazeta Si, 27 janar 2022

Pra, 26 vota janë ato që vijnë nga 26 klubet e dy niveleve më të larta të futbollit shqiptar. Klubet e Kategorisë së Dytë tashmë janë përfshirë te Shoqatat Rajonale të futbollit, ku po bëhet edhe lufta më e madhe për delegatët. Janë 8 Shoqata Rajonale, por numri i delegatëve që secila prej tyre çon në Asamble nuk është i njëjtë, por në varësi të numrit të sportistëve që ka.

Konkretisht, Shoqata Rajonale e Tiranës, gjithmonë duke iu referuar statutit, çon në Asamble 8 delegatë, Shoqatat Rajonale të Durrësit, Shkodrës, Fierit dhe Gjirokastrës kanë nga 3 delegatë, kurse Shoqatat Rajonale të Korçës, Elbasanit dhe Lezhës kanë nga 2 delegatë.

Ka zëra se ditët e fundit ka pasur ndryshime në numrin e delegatëve, ku 2 delegatë i janë hequr Tiranës dhe janë shtuar 1 te Shoqata Rajonale e Fierit dhe 1 tek ajo e Gjirokastrës. Për momentin nuk ka një listë me delegatët e Shoqatave Rajonale që do të marrin pjesë në Asamble, pasi gjatë zgjedhjeve të tyre ka pasur edhe parregullsi, siç është rasti i Durrësit, ku votuan persona të paautorizuar.

Deri këtu, me votat e klubeve të Superiores, Kategorisë së Parë dhe Shoqatave Rajonale, jemi në kuotën e 52 votave. Numri 55 plotësohet me 3 votat që vijnë nga Shoqata e Arbitrave të Futbollit, Shoqata e Mjekëve Sportivë dhe Shoqata e Trajnerëve, secila me nga 1 votë.

Si votohet
Votimi për presidentin e FSHF-së bëhet me dy raunde. Në raundin e parë fituesi duhet të ketë marrë 2/3-at e votave, kurse në raundin tjetër mjafton shumica e thjeshtë, 50%+1 e votave.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore votohet gjithashtu edhe për Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë