Më 30 qershor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet vendore. Gjashtë muaj përpara këtij afati Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucioni qendror që merret me mbarëvajtjen e këtij procesi ka nisur përgatitjen për nxjerrjen e udhëzimeve dhe mbi të gjitha ka miratuar një plan veprimi, i përcaktuar me afate për zbatimin e të gjitha etapeve deri në ditën e votimit dhe më pas në shpalljen e rezultateve të 30 qershorit.
Për të mos pasur një zvarritje të këtij procesi, zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj me anë të një deklarate për median i bëri thirrje partive politike që të respektojnë afatet e përcaktuara nga ky institucion, sipas neneve të Kodit Zgjedhor.
“Sot që po kryejmë këtë komunikim jemi vetëm pesë muaj e 27 ditë larg zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor. Zgjedhjet janë proces politik i shqiptarëve, bëhen për ta, nuk bëhen për KQZ-në dhe as për partitë politike. Ndaj kanë rëndësi përgjegjshmëria publike e aktorëve politikë dhe institucionalë, transparenca e administrimit të procesit dhe llogaridhënia përpara elektoratit. Në emër të kësaj transparence, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri publike, KQZ-ja tërheq sot vëmendjen e partive politike të interesuara për zgjedhjet për sa vijon: 1) Kodi Zgjedhor ngarkon partitë me detyrën e administrimit të procesit dhe administrimi i procesit zgjedhor fillon me ngritjen e KZAZ-ve. Deri më datë 18 mars, këto parti duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve). Pas tyre ngrihen komisionet e qendrave të votimit (KQV-të), afati për të cilat partive u skadon më datë 30 maj, si dhe grupet e numërimit të votave (GNV-të), detyrim që partitë duhet ta plotësojnë përpara datës 18 qershor”, theksoi Hoxhaj.

Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj
Në të njëjtën kohë KQZ i kujton partive politike se në rast se nuk e respektojnë këtë afat, kjo e drejtë zbret tek partitë e tjera parlamentare të të njëjtit grupim dhe, në instancë të fundit, tek KQZ-ja, e cila do të emërojë kryesisht komisionerët deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.
Caktimi në kohë i komisionerëve partiakë shihet edhe si mundësi që administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.
“KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, prandaj u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për përzgjedhjen e kandidaturave për komisionerët zgjedhorë”, vijoi Hoxhaj.
Ndërsa i kujtohet partive politike se afati fati ligjor për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje mbaron më datë 21 prill, kurse për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ mbaron më datë 1 maj. Regjistrimi bëhet si gjithmonë pranë KQZ-së.
“Nëse partitë politike nuk respektojnë afatin e parë, ato nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Nëse nuk respektojnë afatin e dytë, ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore. Në të shkuarën KQZ -ja është kritikuar nga misionet vëzhguese ndërkombëtare për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përtej afateve ligjore, ndaj është veçanërisht e vendosur këtë herë që të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në aplikimin për regjistrim. KQZ-ja u bën thirrje që sot partive politike që të organizohen në kohë për plotësimin dhe depozitimin e dokumentacionit të regjistrimit”, theksoi zëdhënësja e KQZ.
Zgjedhjet e shkuara ato parlamentare, si rezultat i qëndrimit të opozitës pati një shkelje të afatit të regjistrimit të partive politike. Për këtë KQZ vendosi regjistrimin e partive të opozitës, duke shkelur dhe afatet për regjistrimin e koalicioneve politike.
Sipas Kodit, depozitimi i listave shumemërore të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe kandidatëve për kryetar bashkie duhet të bëhet jo më vonë se data 13 maj.
KQZ bën të ditur se nëse partitë politike nuk e respektojnë këtë afat, ato do çregjistrohen dhe nuk do figurojnë në fletën e votimit. Sot ato janë në kohë për të organizuar punën, sipas procedurave të brendshme statutore, për të përzgjedhur kandidatët dhe për të plotësuar dokumentacionin e kandidimit.
“Sipas nenit 77 të Kodit Zgjedhor periudha e fushatës zgjedhore fillon në datën 31 maj. Në të shkuarën, vëzhguesit e brendshëm dhe ata ndërkombëtarë kanë kritikuar praktikën e disa partive politike që kanë zhvilluar veprimtari fushate përpara fillimit të periudhës së fushatës. KQZ-ja u bën thirrje publike partive politike dhe emisarëve publikë të tyre që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe vetëkufizim në këtë prag zgjedhje. Kryerja e veprimtarive të fushatës përpara fillimit zyrtar të saj prish barazinë e garës në zgjedhje, e bën procesin të disbalancuar dhe të pandershëm, e bën atë që të nisë keq. KQZ-ja i bën thirrje medies të tregohet e vëmendshme ndaj kësaj forme të cenimit të barazisë së garës, të distancohet dhe ta denoncojë publikisht atë, në emër të mbrojtjes së lirive themelore të ndjekësve të tyre”, është një ndër kërkesat e tjera të KQZ-së.
Gjithashtu zëdhënësja Hoxhaj bëri të ditur se partitë politike kanë detyrimin të depozitojnë në KQZ para datës 3 qershor të numrit të llogarisë bankare për pranimin e dhurimeve të fondeve jo publike, sikurse kanë detyrimin që të depozitojnë në KQZ para datës 31 mars raportet financiare për vitin kalendarik 2018.
Mosrespektimi i detyrimeve lidhur me transparencën financiare është i lidhur me aplikimin e sanksioneve të rrepta administrative.
“Partitë politike duhet të marrin seriozisht e të respektojnë pikë për pikë detyrimet ligjore për financimin e fushatës dhe llogaridhënien, pasi me dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës fillon puna për vënien në lëvizje të mekanizmave të brendshëm të mbajtjes së llogarive të fushatës dhe me plotësimin e dokumentacionit ligjor të donacioneve dhe të shpenzimeve. Transparenca e plotë e financave është shndërruar në gur prove për politikën, prandaj KQZ-ja tërheq sot vëmendjen për çështjet e financimit të partive politike”, theksoi zëdhënësja e KQZ-së.
Ndërsa KQZ-ja vijon punën për përgatitjen e zgjedhjeve të 30 qershorit me ligjin aktual zgjedhor, në Parlament gjendet e depozituar nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si pjesë e punës së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.
Propozimet e paraqitura janë cilësuar të njëanshme nga ana e PD-së, pasi nuk janë dakordësuar në komision.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




