NEKTARIA STAMOULI
Për presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, zgjedhjet e muajit të ardhshëm kanë një rëndësi të madhe historike.
Vetëm 100 vjet pas themelimit të republikës laike të Mustafa Qemal Ataturkut dhe, nëse Erdogan fiton, ai do të ketë pushtet të vendosë edhe më shumë për të lënë gjurmë për drejtimin e trajektores të një peshe të rëndë gjeostrategjike të vendit prej 85 milionë banorësh. Frika në Perëndim është se ai do ta shohë këtë si momentin e tij për të shtyrë drejt një modeli gjithnjë e më konservator fetar, i karakterizuar nga konfrontimi rajonal, me fuqi më të mëdha politike të përqendruara përrreth tij.

Zgjedhjet do të peshojnë shumë mbi sigurinë në Europë dhe Lindjen e Mesme. Kush do të zgjidhet duhet të përcaktojë: rolin e Turqisë në aleancën e NATO-s; marrëdhëniet e saj me SHBA-në, BE-në dhe Rusinë; politika e migracionit; Rolin e Ankarasë në luftën në Ukrainë; dhe si do t’i trajtojë tensionet në Mesdheun Lindor.
Zgjedhjet e 14 majit pritet të jetë gara më e zjarrtë gjatë qeverisjes 20-vjeçare të Erdoganit – ndërsa vendi përballet me vite të keqmenaxhimit ekonomik dhe pasojat e një tërmeti shkatërrues.

Erdogan do të përballet me një opozitë të rreshtuar pas Kemal Kiliçdaroglu, me nofkën “Gandi turk”, i cili po premton ndryshime të mëdha. Sondazhet sugjerojnë se Kılıçdaroglu ka arritur një epërsi, por Erdogan është në një fushatë të fohttë zgjedhore, duke pasur me vete fuqinë e plotë të shtetit dhe institucioneve të tij.
“Do të ketë një ndryshim nga një qeveri autoritare nga një njeri i vetëm, drejt një lloj pune ekipore, që është një proces shumë më demokratik,” – tha për POLITICO Unal Çevikoz, këshilltari kryesor për politikën e jashtme të Kılıçdaroglu. “Kılıçdarodlu do të jetë udhëheqësi i atij ekipi”.
Këto janë temat kryesore të politikës së jashtme që janë lojë në votimin e 14 majit:
Bisedimet për anëtarësim mes BE dhe Turqisë
Opozita e Turqisë është e bindur se mund të zhbllokojë bisedimet e pranimit në Bashkimin Europian – në ngecje që nga viti 2018 për shkak të kthimit demokratik të vendit – duke futur reforma liberalizuese në drejtim të sundimit të ligjit, lirive të medias dhe depolitizimit të gjyqësorit.

Kampi opozitar premton gjithashtu se do të zbatojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që bëjnë thirrje për lirimin e dy prej kundërshtarëve më të njohur të burgosur të Erdoganit: bashkëudhëheqësit të Partisë Demokratike Popullore pro-kurde Selahattin Demirtash dhe mbrojtësit të të drejtave të njeriut, Osman Kavala.
“Kjo thjesht do t’u japë mesazhin të gjithë aleatëve tanë dhe të gjitha vendeve europiane, se Turqia është kthyer në rrugën e demokracisë,” – tha Çevikoz. Megjithatë, edhe nën një administratë të re, detyra e rihapjes së bisedimeve për pranimin e Turqisë në BE është e ndërlikuar.
Ndjenja antiperëndimore në Turqi është shumë e fortë në të gjithë spektrin politik, argumentoi Ëolfango Piçoli, bashkëthemelues i kompanisë së analizës së rrezikut “Teneo”.
“Politika e jashtme do të varet nga koherenca e koalicionit, – tha ai, – ky është një koalicion partish që nuk kanë asgjë të përbashkët përveç dëshirës për të hequr qafe Erdoganin. Ata kanë një axhendë shumë të ndryshme dhe kjo do të ketë ndikim në politikën e jashtme”.
“Lidhjet janë kryesisht në koma dhe kanë qenë për disa kohë, kështu do ta mbajnë atë gjallë”, – tha ai, duke shtuar se çdo qeveri e re do të kishte kaq shumë probleme të brendshme për t’u përballur dhe fokusi i saj kryesor punës do të ishte ai i brendshëm.
Europa gjithashtu duket e papërgatitur për të trajtuar një Turqi të re, me një grup vendesh – më së shumti Franca dhe Austria – që janë veçanërisht kundër idesë së rindezjes së lidhjeve.
“Ata janë mësuar me idenë e një Turqie të paangazhuar, që është larguar nga normat dhe vlerat e BE-së dhe po bën rrugën e vet,” – tha Aslı Aydıntashbash, një anëtare e ndjekëse në Brookings. “Nëse opozita formon një qeveri, ajo do të kërkojë një identitet europian dhe ne nuk e dimë përgjigjen e Europës për këtë; nëse mund të jetë pranimi apo një kuadër i ri sigurie që përfshin Turqinë”.
“Natyrisht, erozioni i besimit ka qenë i ndërsjellë”, – tha ish-diplomati turk Sinan Ulgen, një bashkëpunëtor i lartë në institutin e mendimit Carnegie Europe, duke argumentuar se megjithë hezitimin në lidhje me pranimin e Turqisë, ka fusha të tjera, ku mund të ndërtohet një kornizë plotësuese dhe reciprokisht përfituese, si bashkimi doganor, liberalizimi i vizave, bashkëpunimi për klimën, sigurinë dhe mbrojtjen dhe marrëveshja e migracionit.
Opozita me të vërtet do të kërkojë të rishikojë marrëveshjen e 2016-ës me BE-në për migracionin, – tha Çevikoz. “Politika jonë e migracionit duhet të koordinohet me BE-në,” – shtoi ai.
“Shumë vende në Europë e shohin Turqinë si një lloj vendi grumbullimi, ku mund të mbahen emigrantët që vijnë nga lindja dhe kjo është diçka që Turqia, natyrisht, nuk mund ta pranojë”, -tha ai, por shtoi se “kjo nuk do të thotë se Turqia duhet të hapë kufijtë e saj dhe të bëjë që emigrantët të vëshojnë në Europë. Por ne duhet të koordinojmë dhe zhvillojmë një politikë të përbashkët migracioni”.
NATO dhe SHBA
Pasi fillimisht vendosi një veto, Turqia më në fund i dha dritën jeshile anëtarësimit të Finlandës në NATO më 30 mars. Por opozita gjithashtu premton të shkojë më tej dhe t’i japë fund vetos turke ndaj Suedisë, duke thënë se kjo do të jetë e mundur nga mbledhja vjetore e aleancës më 11 korrik.

“Nëse i bartni problemet tuaja dypalëshe në një organizatë shumëpalëshe, siç është NATO, atëherë ju po krijoni një lloj polarizimi me të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s me vendin tuaj”, – tha Çevikoz.
Një Erdogan i rizgjedhur gjithashtu mund të ndihet mjaft i fuqizuar për të lejuar Suedinë të hyjë, argumentojnë njerëz shumë të brendshëm. Aleatët e NATO-s, në fund të fundit, luajtën një rol të rëndësishëm në ndihmën për tërmetet. Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalın, thotë se dera nuk është e mbyllur për Suedinë, por këmbëngul se përgjegjësia është e Stokholmit për të përcaktuar se si do të vazhdojnë gjërat.
Marrëdhëniet ushtarake të Turqisë me SHBA-në u përkeqësuan ndjeshëm në vitin 2019, kur Ankaraja bleu sistemin raketor S-400 të prodhuar nga Rusia, një lëvizje që SHBA-të thanë se do të vinte në rrezik avionët e NATO-s që fluturonin mbi Turqi. Si kundërpërgjigje, SHBA-ja e përjashtoi Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35 dhe vendosi sanksione ndaj industrisë turke të mbrojtjes.
Një takim në fund të marsit midis Kiliçdaroglu dhe ambasadorit të SHBA në Ankara, Jeff Flake, zemëroi Erdoganin, i cili e pa atë si një ndërhyrje në zgjedhje dhe u zotua t’i “mbyllte derën” të dërguarit të SHBA-ve. “Ne duhet t’u japim një mësim Shteteve të Bashkuara në këto zgjedhje,” – u tha presidenti i zemëruar votuesve.
Në platformën e saj politike, opozita shprehu qartë dëshirën e saj për t’u kthyer në programin F-35.
Rusia dhe lufta në Ukrainë
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Turqia u paraqit si ndërmjetësuese. Ajo vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë – kryesisht drone Bayraktar, ndërkohë që refuzon të sanksionojë Rusinë. Ajo gjithashtu ka ndërmjetësuar një marrëveshje të OKB-së, që lejon eksportet e grurit ukrainas të kalojnë përmes Detit të Zi të bllokuar.
Duke nënvizuar aktin e tij strategjik mbi Rusinë, pasi ndezi dritën jeshile për pranimin e Finlandës në NATO dhe duke lënë të kuptohet se Suedia gjithashtu mund ta pasojë, Erdogan tani po sugjeron se Turqia mund të jetë anëtarja e parë e NATO-s që do të presë presidentin rus, Vladimir Putin.
“Ndoshta ka një mundësi që Putini mund të udhëtojë në Turqi më 27 prill për inaugurimin e reaktorit të parë të energjisë bërthamore të vendit, të ndërtuar nga kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom”, – tha ai.
Çevikoz tha se nën udhëheqjen e Kiliçdaroglu, Turqia do të ishte e gatshme të vazhdojë të veprojë si ndërmjetëse dhe të zgjasë marrëveshjen e grurit, por do të vendosë më shumë theks në statusin e Ankarasë si anëtare e NATO-s.
“Ne thjesht do të theksojmë faktin se Turqia është anëtare e NATO-s dhe në diskutimet tona me Rusinë, sigurisht që do të kërkojmë një marrëdhënie mes të barabartëve, por gjithashtu do t’i kujtojmë Rusisë se Turqia është anëtare e NATO-s”, – tha ai.
“Marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë janë nxitur shumë nga marrëdhënia midis Putinit dhe Erdoganit dhe kjo duhet të ndryshojë”, – argumentoi Ulgen.
“Asnjë lider tjetër turk nuk do të kishte të njëjtën lloj marrëdhënieje me Putinin, do të ishte më e largët,” – tha ai. “Kjo nuk do të thotë se Turqia do të përputhet me sanksionet. Por megjithatë, marrëdhënia do të ishte më transparente.”
Siria dhe migrimi
Roli i Turqisë në Siri varet shumë nga mënyra se si ajo mund të trajtojë çështjen e sirianëve që jetojnë në Turqi, thotë opozita.
Turqia pret rreth 4 milionë sirianë dhe shumë turq, duke luftuar një krizë të madhe të kostos së jetesës, po bëhen gjithnjë e më armiqësorë. Kılıçdaroğlu është zotuar të krijojë mundësi dhe kushte për kthimin vullnetar të sirianëve.
“Qasja jonë do të ishte rehabilitimi i ekonomisë siriane dhe krijimi i kushteve për kthime vullnetare”, – tha Çevikoz, duke shtuar se kjo do të kërkonte një ndarje ndërkombëtare të barrës, por edhe vendosjen e dialogut me Damaskun.
Erdogan po përpiqet gjithashtu të krijojë një afrim me Sirinë, por presidenti sirian Bashar al-Assad thotë se ai do të takohet me presidentin turk vetëm kur Ankaraja të jetë gati të tërheqë plotësisht ushtrinë e saj nga Siria veriore.
“Një qeveri e re turke do të jetë më e etur për të shtrënguar duart në thelb me Assadin, – tha Ulgen. – Por kjo do të mbetet një çështje e mprehtë, sepse do të ketë kushte nga ana e Sirisë për këtë normalizim.”
Megjithatë, Picoli nga Teneo tha se kthimet vullnetare të sirianëve ishte “më tepër një dëshirë”.
“Këta janë sirianë që jetojnë në Turqi për më shumë se 10 vjet, fëmijët e tyre kanë shkuar në shkollë në Turqi që nga dita e parë. Pra, zotimet për kthimin e tyre vullnetarisht, janë shumë të diskutueshme se deri në çfarë mase mund të zbatohen.”
Greqia dhe Mesdheu Lindor
Turqia ka rritur retorikën e saj agresive kundër Greqisë muajt e fundit, me Erdoganin që madje paralajmëroi se një raketë mund të godasë Athinën. Por reagimi i menjëhershëm i qeverisë greke dhe komunitetit grek ndaj tërmeteve shkatërruese të fundit në Turqi dhe një vizitë e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias krijuan një sfond të ri për marrëdhëniet dypalëshe.

Dendias, së bashku me homologun e tij turk Mevlut Çavushoglu, njoftuan se Turqia do të votojë për Greqinë në fushatën e saj për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për 2025-26 dhe se Greqia do të mbështesë kandidaturën turke për Sekretariatin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Në një tjetër shenjë shkrirjeje, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos, dhe ministri i migracionit Notis Mitarachi vizituan Turqinë këtë muaj, me ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, duke thënë se ai shpresonte që Mesdheu dhe Egjeu të ishin një “det miqësie” midis dy vendeve. Akar tha se ai priste një moratorium me Greqinë në stërvitjet ushtarake dhe ajrore në Detin Egje midis 15 qershorit dhe 15 shtatorit.
“Të dy vendet do të kenë zgjedhje dhe me gjasë do t’i kenë zgjedhjet në të njëjtën ditë. Pra, kjo do të hapë një horizont të ri para të dy vendeve”, – tha Çevikoz. “Afrimi mes Turqisë dhe Greqisë në problemet e tyre dypalëshe [në Egje] do të lehtësojë koordinimin në adresimin e problemeve të tjera në Mesdheun lindor, i cili është një format më shumëpalësh”, – shtoi ai. Mosmarrëveshjet mbi kufijtë detarë dhe eksplorimin e energjisë, për shembull, janë të zakonshme.
Për sa i përket Qipros, Çevikoz tha se është e rëndësishme që Athina dhe Ankaraja të mos ndërhyjnë në politikën e brendshme të Qipros dhe “dy popujve në ishull duhet t’u jepet një mundësi për të parë problemet e tyre në mënyrë dypalëshe”.
Megjithatë, analistët argumentojnë se Greqia, Qiproja dhe Lindja e Mesme janë thelbësore për politikën e jashtme të Turqisë dhe nuk do të ndryshojë shumë me një qeveri tjetër. Dallimi do të jetë më shumë te çështja e stilit.
“Qasja për të menaxhuar ato dallime do të ndryshojë shumë. Pra, ne nuk do të dëgjojmë retorikë agresive si: “Brenda natës ju vijmë këtu”, – tha Ulgen. “Ne do të kthehemi në një stil më të pjekur, më diplomatik të menaxhimit të dallimeve dhe mosmarrëveshjeve.”
“Kuadri i NATO-s do të jetë i rëndësishëm dhe SHBA-të do të duhet të bëjnë më shumë në drejtim të rivendosjes së ndjenjës së ekuilibrit në Egje”, – tha Ajdintashbash. “Por, – argumentoi ajo, – ju thjesht nuk mund t’i normalizoni marrëdhëniet tuaja me Europën ose SHBA-në, nëse nuk jeni të gatshëm ta bëni atë hap me Greqinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




