Ende pa u bërë dy muaj nga procesi i 23 prillit, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës kanë filluar të diskutohen në nivelet e larta shtetërore.
Nëse kjo do të ndodhë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se KQZ-ja, është e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.
I pyetur për mundësinë që në këto zgjedhje eventule, Misioni i OSBE-së në Kosovë të marrë rol ndihmues për KQZ-së, Elezi ka thënë se ky institucion nuk i komenton zhvillimet politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i komenton zhvillimet politike. KQZ-ja ka dëshmuar se është institucion i cili përmbushë detyrat kushtetuese. Prej disa proceseve zgjedhore, që nga viti 2020, KQZ-ja, si institucion i vetëm, ka realizuar me sukses detyrat edhe në këto katër komuna. Andaj, si KQZ, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të kryer detyrat tona”, tha Elezi.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në zgjedhjet e mëhershme ka lehtësuar dhe ndihmuar KQZ-në, në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për situatën në veri dhe zgjedhjet atje. Davenport tha se OSBE do të ndihmojë Komisionin Qendror Zgjedhor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.