Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka hedhur shortin për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniq deklaroi se më 9 janar pritet të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postës.
“Që nga mesi i muajit gusht KQZ është duke i vazhduar përgatitjet dhe deri më tani shumë nga aktivitetet janë kryer dhe të tjerat janë duke u zhvilluar. Më 9 janar pritet të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do ta fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore”, tha ai.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 118.
PDK-ja kanumrin 131, LDK-ja numrin 124 kurse koalicioni AAK-NISMA numrin 137.
Ndërsa Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka numrin 112.
Me kë garojnë në krye të listave të tyre partitë?
Vetëvendosja në top pesëshen e partisë ka vendosur kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurtin, për të vazhduar me figura kyçe partiake si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari e Albulena Haxhiu.
Gjer më tani Vetëvendosja nuk ka paraqitur program zgjedhor, ndërsa ka proklamuar kryesisht nëpër tubime atë që e përkufizojnë si shtrirje sovraniteti dhe luftim korrupsioni.
Lidhja Demokratike e Kosovës në top pesëshen e saj ka përfshirë kandidatin e saj për kryeministër, Lumir Abdixhikun, ndërsa ka vijuar me Kujtim Shalën, Doarsa Kica-Xhelilin, Lutfi Hazirin e Gazmend Muhaxherin.
LDK cila ka kohë që ka paraqitur programin e saj të quajtur “Rruga e Re” ku kryesisht përfshihen zotime e plane për investime të mëdha infrastrukturore e kapitale.
Partia Demokratike e Kosovës garon me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, për t’u ndjekur me Memli Krasniqin, Vlora Çitakun e Enver Hoxhajn. PDK ka botuar muaj më parë programin e saj qeverisës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon bashkërisht me Nismas Sociale Demokrate dhe një seri koalicionesh me parti të vogla.
AAK synon, siç e quajn ata, anëtarsëimin e Kosovës “direkt në NATO”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.