Nga Gazeta ‘Si’ - Shumica e partive politike të serbëve në Kosovë po përgatiten të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit.
Por, tani për tani, mbetet e paqartë nëse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – po përgatitet gjithashtu për atë proces.
Me nismën e saj, pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas i bojkotuan zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç.
Kjo parti, e vetmja në Kosovë që gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të marrë pjesë në zgjedhje.
Por, më 19 nëntor, përmes një njoftimi të shkurtër për media, ajo deklaroi se ka mbajtur një takim, ku është diskutuar për, siç tha, “gjendjen politike dhe të sigurisë, si dhe për aktivitetet e ardhshme”.
Paraprakisht, zyrtarë të Listës Serbe u takuan me drejtorin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç, në Rashkë të Serbisë.
Siç u bë e ditur më vonë, në atë takim u diskutua për “situatën e vështirë politike dhe të sigurisë” në Kosovë dhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.
REL-i pyeti edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nëse këtë herë do të ofrojë mbështetje për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës edhe për partitë e tjera politike serbe, por nuk mori përgjigje.
Састао сам се у Рашки са политичким и институционалним представницима српског народа са Косова и Метохије са којима сам разговарао о тешкој политичко-безбедносној ситуацији у покрајини. Упознао сам их и с мерама Србије за подршку нашем народу на КиМ и току дијалога у Бриселу. pic.twitter.com/6PYO3VubMJ
— Петар Петковић (@PetkovicPetar) November 15, 2024
Deri më tash, asnjë parti politike serbe nuk aplikoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzim të listës së kandidatëve për deputetë në KQZ është deri më 24 dhjetor, 2024.
Kush merr pjesë në zgjedhje?
Nenad Rashiç, lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjekti që ai drejton, është duke finalizuar listën me kandidatët për deputetë.
Ai vlerëson se ka ardhur koha që serbët ta përfaqësojnë vetveten në institucionet e Kosovës.
“Nëse jeni politikan, nëse keni parti, natyrisht që nga ju pritet të merrni pjesë në zgjedhje në çfarëdo rrethanash. Dhe, ka pasur rrethana edhe më të këqija se këto aktuale”, thotë Rashiç, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Millija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe thekson, gjithashtu, rëndësinë e krijimit dhe zhvillimit të “politikës autoktone” për t’i mbrojtur interesat e komunitetit serb në Kosovë.
Ai thotë se qëllimi i partisë së tij, që nga formimi i saj vitin e kaluar, ishte të merrte pjesë në procesin zgjedhor.
“Kjo gjendje sigurie është gjithmonë e paparashikueshme. Ne kemi vendosur që të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, si parti e pavarur, si Lëvizja Popullore Serbe. Shpresoj vetëm që të ketë qetësi, në mënyrë që zgjedhjet të mund të mbahen”, thotë Bishevac.
Në dy vjetët e fundit, veriu i Kosovës u përshkua me tensione të larta, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë aktuale për ta shtrirë autoritetin në atë pjesë, ku popullata shumicë është serbe.
Disa nga veprimet e ndërmarra në këtë drejtim ishin: mbyllja e institucioneve paralele serbe, heqja nga përdorimi e dinarit serb, si dhe zëvendësimi i targave serbe me targa të Kosovës.
Të gjitha këto u kundërshtuan fuqishëm nga popullata lokale.
Nga Partia e Serbëve të Kosovës e Aleksandar Jabllanoviçit thonë se kanë vendosur në parim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Orientimi ynë është që të shkojmë në këto zgjedhje. Por, duhet të shohim në ditët në vijim se si do të organizohen ato – para së gjithash në veri të Kosovës. Jam i bindur se do të dalim, sepse nuk e shoh se cila është alternativa”, thotë Jabllanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Në zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Lepoasaviç, Zubin Potok dhe Zveçan – në prill të vitit 2023, partia e Jabllanoviçit u tërhoq nga gara tri ditë para zgjedhjeve, duke i ftuar edhe mbështetësit e saj që t’i bojkotojnë ato.
Atëkohë, zgjedhjet i bojkotuan edhe subjektet tjera politike serbe, përfshirë Listën Serbe. Për rrjedhojë, pushtetin në katër komunat në veri e morën kryetarët shqiptarë.
Udhëheqësi i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviç, thotë se është ende herët për të vendosur rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë. Por, shton ai, në rast se partia e tij vendos në favor të pjesëmarrjes, atëherë do të shkojë në zgjedhje në mënyrë të pavarur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.