Kosova

Zgjedhjet e 9 shkurtit / Fillon periudha e votimit përmes postës për votuesit jashtë Kosovës

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

Sipas njoftimit të KQZ-së kjo periudhë 9 janar – 8 shkurt 2025 do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

“Shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar individualisht të gjithë votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës për procedurën e votimit”, thuhet në njoftim.

Të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës, për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë ose në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, duhet të ndjekin udhëzimet e KQZ-së për votimin përmes postës.

Hapi 1: Plotësoni fletëvotimin

1.            Shkarkoni dhe printoni fletëvotimin.
2.            Në anën e majtë të fletëvotimit janë të renditura subjektet politike. Zgjidhni vetëm një subjekt politik.
3.            Në anën e djathtë, mund të votoni deri në dhjetë kandidatë.
4.            Pasi të plotësoni fletëvotimin:
•              Paloseni fletëvotimin, vendoseni brenda zarfit dhe mbylleni zarfin.
•              Mos shkruani asgjë mbi zarf!

Hapi 2: Dërgoni fletëvotimin

1.            Printoni dëftesën e regjistrimit që e keni pranuar përmes email-it gjatë periudhës së regjistrimit.

2.            Brenda zarfit të dytë, vendosni:
•              Zarfin e mbyllur me fletëvotimin e plotësuar.
•              Dëftesën e regjistrimit.
3.            Mbi zarfin e dytë:
•              Shënoni adresën e kutisë postare të KQZ-së (bashkangjitur në këtë email gjeni adresat e kutive postare të KQZ).
•              Vendosni një pullë postare.
4.            Dërgojeni zarfin në postën më të afërt të shtetit ku jetoni.

Kujdes! Që fletëvotimi juaj të jetë i vlefshëm:
•              Dërgesa duhet të jetë individuale (nuk mund të përfshini fletëvotime për anëtarët e familjes apo persona të tjerë).
•              Zarfi duhet të ketë pullën postare dhe të dërgohet nga shteti ku jeni regjistruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë