Politike

30 qershori, OSBE/ODIHR nxjerr raportin përfundimtar

OSBE/ ODIHR ka publikuar sot raportin final të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në raport thuhet se procesi i numërimit ka qenë përgjithësisht i rregullt, ndërsa zgjedhjet janë zhvilluar në kushtet e krizës politike.
“Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit dhe se në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione dhe se përplasjet politike çuan në pasiguri juridike, ku shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me objektivin politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve”, thuhet në raport.
Ky organizëm ndërkombëtar thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cenoi sigurinë juridike, duke bërë interpretime të gjera të ligjit.
Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është cilësuar si shkaku që shtoi pasigurinë juridike mbi zgjedhjet, sepse për OSBE-ODIHR “pasiguria juridike mbi zgjedhjet u rrit për shkak të mosmarrëveshjes midis palëve të interesuara zgjedhore në lidhje me ndarjen e përgjegjësisë midis Gjykatës Kushtetuese, si organi i vetëm i mandatuar për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e dekreteve presidenciale, dhe Kolegjit Zgjedhor që ka mandat të mbikëqyrë ligjshmërinë e procesve zgjedhore”.
Gjithashtu, raporti thekson se mospublikimi i dekretit të Presidentit, Ilir Meta në Fletoren Zyrtare është i paligjshëm.
ODIHR evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Mirëpo, “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”.
Po ashtu, ODIHR specifikon se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë