Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar edhe njëherë se opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. Sipas tij, procesi është nul pasi cënon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se ishin vetë shqiptarët që e vendosën një gjë të tillë duke i bojkotuar votimet.
“30 qershori ishte jo vetëm veprim antikushtetues dhe antidemokratik, por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve.
Votimet e 30 qershorit, përtej një farse antiligjore, u manipuluan me çdo mjet dhe mënyrë, që nga manipulimet ligjore dhe kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit.
Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve.
Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. Këtë gjë e vendosën vetë shqiptarët më 30 qershor, në shumicë dërrmuese”, shkruan Basha në “Facebook”.
Ndryshe nga kreu i shtetit që e gjen zgjidhjen e kësaj krize të thelluar politike te zhvillimi i tri palë zgjedhjeve më 13 tetor, lideri demokrat thotë se zgjidhja qëndron te ndëshkimi i fenomenit të shit-blerjes së votës.
“Kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit. E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin.
Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike”, shkruan ndër të tjera Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




