Në një mesazh në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë fton besimtarët e saj dhe të gjithë qytetarët e vendit të marrin pjesë në votime.
Anastas Janullatos në mesazhin e tij për qytetarët, shprehet se në 25 prill duhet të zgjidhen njerëzit e pastër që e çojnë Shqipërinë përpara.
“Sikundër e dimë të dielën tjetër do të kemi Zgjedhjet e Përgjithshme në Shqipëri. Dua që të rikujtoj edhe njëherë tjetër mendimin tonë si Kishë Orthodhokse, – thotë ai. – E kemi theksuar që në vitin e parë, se Kisha jonë nuk merret me Partitë Politike dhe as nuk përzihet në çështjet politike që ka vendi. Ky është parimi i parë që ne si Kishë kemi ndjekur”.
Por Janullatos thekson se kisha ka edhe një parim të dytë, që sipas tij “është mjaft i rëndësishëm – ne, të Krishterët Orthodhoksë, si qytetarë të këtij vendi – duhet të jemi të përgjegjshëm dhe kemi detyrimin për të votuar. Nuk mund të themi jemi indiferentë dhe nuk merremi me çështje të tilla si këto”.
Ai bën thirrje që qytetarët të zgjedhin njerëz të pastër që e çojnë vendin përpara: “Mënyra se si zgjedhim – kriteri ynë është mjaft i rëndësishëm – zgjedhim njerëz të cilët janë të pastër, që nuk vënë më parë “Unin” e tyre dhe më pas vijmë “Ne” dhe kanë aftësinë për ta çuar vendin aty ku është përparimi, kuptimi i ndërsjellë dhe ecja përpara”, shtoi Janullatos në mesazhin e tij, duke e mbyllur me fjalët. “Dhe e përsëris – E drejta për të votuar është një detyrim mjaft i rëndësishëm që kemi ne”, – mbyllet mesazhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




