Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe partia e sapoformuar “Djathtas 1912” kanë paraqitur ditën e sotme platformën për një koalicion të gjerë, për zgjedhjet e reja që do të mbahen në maj të vitit 2025.
Përmes një komunikate të përbashkët për shtyp, LZHK dhe “Djathtas 1912” bëjnë me dije se krijimi i këtij koalicioni vjen si nevojë për bashkimin e atyre subjekteve që mbështesin hapjen e listave, një kërkesë e partive të vogla që u rrëzua pak ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese.
“Në kushtet kur grupimet kryesore politike kanë mbyllur listat zgjedhore dhe kanë forcuar një sistem që favorizon qeverisjen autoritare dhe të korruptuar, është thelbësore të ndërmerret një veprim i përbashkët dhe i vendosur. Të gjithë ata që mbështesin hapjen e listave zgjedhore dhe ndajnë vlerat e demokracisë duhet të bashkohen në një koalicion të gjerë dhe të fuqishëm parazgjedhor.
Partia “Djathtas 1912”, LZHK dhe forca të tjera politike kanë përdorur çdo mjet ligjor dhe institucional për të garantuar respektimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Përpjekjet tona në Gjykatën Kushtetuese për të rikthyer Kodin Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën dhe për të hapur listat zgjedhore nuk arritën rezultatin e dëshiruar. Kjo përbën një mundësi të humbur për demokratizimin e vendit dhe për rrëzimin e një sistemi politik të dështuar.
Megjithatë, mundësitë për ndryshim mbeten të hapura. Shoqëria shqiptare kërkon me urgjencë një transformim politik dhe social. Duke u frymëzuar nga ky moment dhe kërkesat e qytetarëve, ne sot paraqesim publikisht një platformë për krijimin e një koalicioni të gjerë, të bazuar në vlerat e demokracisë, përfaqësimit dhe përfshirjes qytetare.
Kjo platformë është një apel për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, publikë dhe qytetarë që dëshirojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe më të mirë. Synimi ynë nuk është vetëm përmirësimi i ofertës politike, por edhe konkretizimi i saj në një koalicion të gjerë që reflekton kërkesat e qytetarëve për ndryshim”, shkruhet në komunikatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.