Politike

Zgjedhjet e 11 majit/ Celibashi jep afatet: Regjistrimi i partive brenda 25 shkurtit, koalicionet brenda 7 marsit

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka dhënë afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe listave shumëemërore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një konferencë për media ditën e sotme, Celibashi tha se më 25 shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive, më 7 mars për regjistrimin e koalicioneve dhe më 12 mars ai i listave shumëemërore.

“Një parti politike, që do të regjistrohet si subjekte zgjedhor, duhet ta paraqesë këtë kërkesë jo më vonë se 75 ditë nga data e zgjedhjeve. Kërkesat për regjistrimin e koalicioneve duhet të depozitohen në KQZ, kjo më vonë se 70 ditë para datës së zgjedhjeve. 

Deri më 25 shkurt është data kur përfundon afati për depozitimin e kërkesave të partive për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor dhe i komiteteve nismëtare. Data e fundit për kërkesat. Më 7 mars, përfundon kërkesa e depozitimit për regjistrimin e koalicioneve. Më 12 mars, përfundon afati për depozitimin e listave shumë emërorë të kandidatëve. Më 17 mars përfundon afati për verifikimin e dokumenteve të kandidatëve. Më 25 mars përfundon afati i miratimit të listave shumëemërore”, tha ai.

Celibashi bëri me dije se edhe sa do të jetë numri i votuesve që do të votojnë për herë të parë. 

“Janë 114 780 votues që votojnë për herë të parë”, tha ai.

Kreu i KQZ, ndër të tjera sqaroi se kur do të bëhet numërimi i votave të emigrantëve.

“Numri i votave nga jashtë nuk mund që të fillojë të numërohet pa filluar procesi i numërit të votave i qarkut përkatës. Përshembull fletët e votimit për qarkun Durrës për votimin e emigrantëve nuk mund të nis nëse s’ka filluar procesi i numërimit të votave për qarkun Durrës nga brenda vendit”, tha ai. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë