Politike

Zgjedhjet 2025 / Shqipëria votoi, mbyllet zyrtarisht orari i votimit

Gazeta Si – Në orën 19:00 të kësaj të diele, u mbyll orari zyrtar i votimit në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të caktojnë 140 deputetët e rinj dhe qeverinë që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.

Ashtu siç është vepruar edhe në zgjedhjet e mëparshme, votimi do të vijojë vetëm me personat që janë në radhë.

Tashmë kutitë do të çohen nga KQZ-ja për numërimin e votave dhe më vonë do të dalin paraprakisht dhe rezultatet e tyre.

Duhet theksuar që në përditësimin e fundit sa i takon numrit të qytetarëve që kanë votuar këtë të dielë, nuk përfshihet diaspora.

Mbi 3.7 milionë qytetarë shqiptarë kishin të drejtë vote këtë të diel, dhe sipas rezultateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 i kaloi 41%. Risi e këtyre zgjedhjeve ishte vota e diasporës.

Qytetarët zgjodhën mes 3 koalicioneve dhe 8 subjekteve zgjedhore, teksa tashmë e gjithë vëmendja është drejtuar tek procesi i numërimit.

Në të gjithë vendin ishin të shpërndara 5225 qendra votimi, ndërsa puna për numërimin e votave do të zhvillohet në 93 KZAZ.

Procesi zgjedhor u zhvillua në tërësi i qetë, por incidentet e vogla nuk munguan në shumë zona, ku pati përplasje mes komisionerëve, disa raste fotografimi të votës apo dhe vonesa në nisjen e votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë