Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, foli në Kuvend lidhur me ngërçin për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi opozita tërhoqi firmat e saj nga kandidatët pretedentë nga ky post.
Gjatë fjalës së tij Manja theksoi se faza e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit duhet të përmbyllet.
“Jam këtu për të kërkuar deri në fund të përmbyllet faza e përzgjedhjes së avokatit të Popullit sipas raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën publike”, u shpreh Manja.
Manja tha se Komisioni i Ligjeve ka ndjekur me përpikmëri bazën ligjore të përcaktuar nga Kushtetuta, ligji për Avokatin e Popullit dhe rregulloret përkatëse. Ai shtoi se kandidatët kanë pasur 20 ditë afat për mbledhjen e 28 firmave të deputetëve, ndërsa shumica e tyre i kanë dorëzuar brenda kohës së përcaktuar.
“Kemi shpallur afatin 20-ditor, kemi administruar 26 kandidatura, kemi vlerësuar nëse janë në rregull, kemi dëgjuar të 26 kandidatët, morëm kohën dhe në mbledhjen e datës 17 nëntor, Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar kandidatët që vlerësoheshin se plotësonin kushtet. Deri në datën 2 dhjetor vendosëm, sepse deri në këtë moment nuk je kandidat po nuk erdhe në seancë, 26 kandidatët e listës të mbledhin 28 firmat. Ia kemi sjellë deputetëve. Është e vërtetë që në vendimin e komisionit shprehet se një deputet mbështet me firmë vetëm një kandidat. Por nuk më dëgjuat! Jua thashë.
Ata që janë juristë e dinë se vendimet e komisionit janë akte proceduriale, por nuk janë akte normative. Nuk e kufizon vullnetin e një deputeti për të dhënë më shumë se një firmë. Nuk e respektuat! Dhatë 360 firma, nëse do kishit zbatuar atë që thashë unë dhe kolegët e mi, ju do kishit sjellë në Kuvend një kandidat e gjysmë, se aq firma keni ju. Pse dhatë 360 firma? Ju detyroi kush të firmosnit? Jo! Komisioni i Ligjeve nuk është prokurori, nuk bën hetime. I kanë depozituar firmat: Adriana Kalaja 44 firma, Aranita Brahaj 34 firma, Besim Ndregjoni 34 firma, Endrit Shabani 35 firma… Tërësisht brenda afatit të përcaktuar në vendimin e komisionit. Çfarë ndodhi? Disa kandidatë i sollën firmat jashtë afatit..”, tha Manja.
Ai akuzoi opozitën se përpiqet të ndryshojë rregullat pas mbylljes së afatit, duke deklaruar se tërheqja e firmave më 9 dhjetor “nuk ka asnjë efekt juridik”.
“Tërheqja e firmave pas afatit të 2 dhjetorit bie ndesh me parimin e sigurisë juridike. Nuk mund të firmosni në mëngjes dhe tërhiqeni në darkë, kjo krijon kaos,” deklaroi Manja, duke shtuar se komisioni nuk ka kompetencë hetimore dhe se çdo firmë e depozituar brenda afatit është e vlefshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




