Politike

Zgjedhja e Avokatit të Popullit/ Balla: Nëse opozita nuk merr pjesë, do e zgjedhim ne

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur për të diskutuar mbi krijimin e dy komisioneve, atë për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Administrative Territoriale. Gjithashtu pjesë e diskutimeve ka qenë dhe ligji për barazinë gjinore.

Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla për mediat ka treguar dhe planin për përbërjen e dy komisioneve të propozuara nga mazhoranca, ku shumica e votave do t’i mbetet Partisë Socialiste.

“Kemi propozuar për komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, variant të parë të përbërjes, 17 anëtarë, 9 PS, 8 grupet e tjera parlamentare. Jemi të hapur për të debat me opozitën. Të dy bashkëkryetarët në komisione kanë të drejtën e vetos. Për komisionin e reformës territoriale tradita ke qenë që shumicën e ka grupi më i madh parlamentar dhe drejtohet me kryetar dhe zv.kryetar”, tha Balla.

Balla gjithashtu ka komentuar dhe shpalljen e vakancës në Kuvend për avokatin e popullit. Deputeti i PS-së  shpreson që avokati i popullit të zgjidhet brenda këtij viti me një proces të përbashkët me opozitën, pa përfshirë kandidatura politike.  

“Përpjekjet e shumicës parlamentare tani më në kufijtë 3/5 është që t’i japim Shqipërisë një avokat populli edhe në vizion Shqipëria 2023, për t’i dhënë avokat popullit dikë që përmbush profesionalisht parashikimet që ka kushtetuta për avokatin dhe  jo anëtar të një partie politike, por një përfaqësues  i shoqërisë civile me kontribute në fushën sociale. I bëj thirrje të gjithëve kush përmbush kriteret për të aplikuar. Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën ta mbajnë peng zgjedhjet e avokatit të popullit.

Të ndërtojmë së bashku një proces. Jemi këtu në këtë situatë 3 vite me vonesë për zgjedhjet e avokatit të popullit për shkak të mungesës së dëshirës për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Nuk e kanë më as mbajtjen peng se nëse opozita nuk do të bëhet pjesë, ne jemi të detyruar të zgjedhim avokatin e popullit. Shpresoj që të zgjidhet brenda krishtlindjeve. Ne do t’i japim Shqipërisë avokatin e popullit me shpresën që do ti japim një personalitet në fushën e të drejtave të njeriut”, tha Balla.

Përsa i përket diskutimeve për ligjin e barazisë gjinore, Balla u shpreh se drafti është në punim e sipër ndërsa ka nevojë për saktësime termash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë