Nga Gazeta Si- “Në bar-kafen këtu pranë nesh, janë infektuar me sëmundjen e zgjebes pothuajse i gjithë stafi. Në fillim erdhi kamarieri i shoqëruar nga pronari, i cili mori kremin kundër zgjebes për të gjithë stafin.
Ai ishte djalë i ri dhe pak i ndrojtur.
Me turp ai tha se i kishin dalë disa puçra dhe ankohej për kruarje të forta në duar, sidomos midis gishtërinjve dhe në sqetulla”.
Farmacistja A.H në rrugën ‘Don Bosko’ tregon për Gazetasi.al se prej disa muajsh, që nga vera nuk kanë pushuar rastet me zgjebe.
Sipas saj, moshat janë të ndryshme, duke përfshirë deri dhe punonjësit e shërbimit siç janë kamarierët dhe banakierët.
“Nuk kemi pushuar nga kërkesat për mjekimin e zgjebes. Janë të rritur, fëmijë të prekur nga paraziti që kërkojnë kremin për trajtimin e zgjebes’, thotë farmacistja.
Mjekët dermatologë thonë se këtë vit risi është rezistenca që po shfaq paraziti.

Sipas dermatologes Violeta Dajçi, pranë shërbimit të dermatologjisë në QSUT, raste ka nga çdo qytet, Durrësi, Korça, Shkodra etj. Por ajo thotë se trajtimi bëhet për të gjithë pjesëtarët e familjes.
“Scabia ose zgjebja sic njihet në popullatë, nuk zhduket nëse nuk mjekohet siç duhet.
Për shkak të transmetimit të shpejtë përmes kontaktit të ngushtë të lëkurës me njerëzit e infektuar, mjekimi bëhet 3-5 ditë për gjithë familjen.
Rastet më të shpeshta që paraqiten janë ata që nuk e kanë kryer siç duhet terapine preventive, familjarisht siç i themi ne”, thotë dermatologia Violeta Dajçi, duke shtuar më tej se gjatë kësaj periudhe, raste me zgjebe ka patur dhe tek të moshuarit.
“Zgjebja është një sëmundje infektive e lëkurës, e shkaktuar nga specie të gjinisë “sarcoptes scabiei”.
Kjo gjini e parazitëve të lëkurës i takon familjes së madhe të merimangave me një madhësi rreth 0.5 mm’, thonë dermatologët.
Sipas tyre, lëvizja e këtyre specieve nën lëkurë prodhon një kruajtje intensive (pruritus) dhe skuqje të lëkurës.
Kjo sëmundje nuk mjekohet në spital, por terapia merret në qendrat shëndetësore.
Sipas mjekëve të shërbimit parësor, një pjesë e të infektuarve me parazitin e Scabias, preferojnë të marrin mjekimin direkt në farmaci, për shkak të frikës së paragjykimit.
Si mund të infektohemi nga zgjebja?
Çdokush mund të infektohet nga zgjebja. Ajo është e përhapur në të gjithë botën dhe transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë dhe i zgjatur lëkurë me lëkurë më një person që është i infektuar me zgjebe.
Mjekët bëjnë apel për të mos shmangur mjekimin e zgjebes pasi paraziti nuk shërohet vetë, por mund të mjekohet.
Mjekët dermatologë këmbëngulin për marrjen e masave higjienike përveç trajtimit specific në të gjithë trupin, që merret me recetën e mjekut të familjes.

Sipas tyre, zakonisht, një trajtim është i mjaftueshëm, por ai mund të përsëritet në rastet e rënda ose nëse ka dyshime se trajtimi nuk është kryer si duhet herën e parë.
“Është shumë me rëndësi të trajtohen të gjithë njerëzit që jetojnë në të njëjtën shtëpi ose dhomë njëkohësisht dhe t’i kryejnë masat e higjienës, edhe nëse nuk kanë asnjë simptomë.
Masat higjienike para se ta vendosni kremin janë shumë të rëndësishme”, këshillojnë ekspertët e shëndetit publik.
Një nga masat e rëndësishme është larja e rrobave të shtratit dhe të gjitha rrobat që keni veshur në 3 ditët e fundit para se të trajtoheni në 60°C ose ujë më të nxehtë.
Rrobat që nuk mund të lahen, lodrat e tekstilit, këpucët dhe pantoflat duhet të vendosen në qese plastike të mbyllura mirë.
Mos i hapni qeset për 3 ditë dhe mbajini ato në temperaturë të dhomës.
Gjithashtu mund t’i vendosni rrobat dhe këpucët në çanta të mbyllura në frigorifer me ngrirje të thellë për 12 orë, në -20°C.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.