Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh nga foltorja e parlamentit se deputetët nuk duhet ta votojnë zgjatjen e afateve të vettingut nga frika e prokurorëve belg, apo kolegëve që janë në burg.
“Do të votoja pro sepse mendoj se edhe pse grupet e komisionit të vettingut nuk janë në standardin e duhur, pasi kanë probleme me sjelljen e tyre, me mesataren e tyre, pasi kur janë zgjedhur nuk kanë plotësuar kriteret, si dhe me standardet e dyfishta.
Mjafton të përmendim çfarë kanë shkruar partnerët ndërkombëtarë në raportet e tyre. Mjafton të përmendim çfarë kanë thënë hartuesit e reformës në drejtësi, zoti Xhafaj gjithashtu, të bën përshtypje se ne e kemi mekanizmin zhbllokues të këtij komisioni për të shkuar drejt KLGJ-së dhe KLP-së dhe e kemi komisionerin, SPAK-un, për të bërë ankimime për KPA-në.
E megjithatë ne nuk e dimë ende nëse vettingut i duhet 2 vite apo më shumë, apo nevojitet më shumë staf apo buxhet, por me thënë të drejtën ajo që dua të them është që kur të votojmë në parlament as të mos votojmë nga frika e prokurorëve belg, as nga frika e kolegëve që janë në burg, por të votojmë për një drejtësi që kanë nevojë qytetarët shqiptarë, që mos të mbetemi peng as të kaluarës dhe as të së tashmes, por as për të përsëritur dhe batutat e para 50 viteve të Kinostudios ‘Shqipëria e re’, ‘gëlltit një lugë çorbë të prishur dhe pastaj vjedh gjithë jetën”, tha Kryemadhi.
Në fund ajo saktësoi qëndrimin e LSI.
“Po bëj të qartë qëndrimin e LSI sa i përket vettingut, edhe pse në fjalën time në parlament e kisha të qartë. Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme, por që për hir të së vërtetës devijimi i saj duke krijuar problematika, ka lënë shumë për të dëshiruar. Dua t’ju ritheksoj se LSI ka marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve në të gjitha mbledhjet, ka bërë oponencën në procesin e analizimit të afateve. Në janar- shkurt të 2018, LSI ka paraqitur një paketë ndryshimesh kushtetutese ku një pjesë kryesore përbënte kjo që u votua në parlament. Lë për të dëshiruar që PD nuk mori pjesë në asnjë mbledhje, përkundrazi e bojkotoi”. Kryemadhi tha se ajo abstenoi ndërsa deputeti i LSI, Agron Çela ka votuar pro zgjatjes së afateve.
“Unë personalisht kam abstenuar, z. Çela ka votuar pro. Kur PD për një orë ndryshon mendim s’ka arsye pse z. Çela mos votojë pro. Vendimi ynë ka qenë për të abstenuar. Votat e LSI janë shumë modeste në Parlament, nuk e ndryshojnë fatin e Parlamentit”, tha Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




