Të enjten Kuvendi do të ketë në rend dite propozimin e PS-së për zgjatjen e mandatit të vettingut deri në fund të vitit 2024.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë qëndrim për votimin e nesërm që kërkon edhe votat e PD-së për tu miratuar.
Në këmbim jo zyrtarisht janë përfolur se janë në lojë reforma zgjedhore, ajo territoriale dhe vettingu nw politikw. Por asnjë prej tyre përpos disa sinjaleve të fundit nuk ka marrë dritën jeshile.
Në anën tjetër deputetët e rreshtuar krah Sali Berishës i kanë lëshuar sinjalet për të votuar kundër.
I tillë është edhe qëndrimi i ish-nënkryetarit të PD-së, Edi Paloka.
“Në pamundësi për të qënë nesër prezent në seancën parlamentare ku do të diskutohet dhe votohet për zgjatjen e afatit të komisionit të Vetingut, po bëj publik qëndrimin tim “Kundër “!
Kush voton për t’i zgjatur jetën një komisioni të përbërë nga familjare të afërt të qeveritareve, i cili në te gjithë aktivitetin e tij ka marre vendime politike , duke kthyer në farsë reformën në drejtësi, është thjeshtë shërbëtor i Ramës në kapjen e plote të drejtësisë!
Deputetët që janë në atë Parlament me votën e demokratëve, nuk mund të bëhen pjesë e një procesi të tillë”, shkruan Paloka i cili ndër radhë aludon se mes Ramës dhe Bashës ka një marrëveshje të fshehtë për të kaluar zgjatjen e mandatit të organeve aktuale, KPK dhe KPA.
“Nesër do te jemi përpara një fakti tjetër që do të tregojë qartazi se cila është opozita e vërtetë dhe kush është kthyer në bishtin e Ramës më zi se ‘opozita e kërperatës dhe jenisherit”, nënvizon Paloka
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




