Politike

Zgjatja e vettingut, Basha: Pro, por s’është votë për PS, ngremë edhe 2 komisione prioritete për PD

Vetëm një orë para fillimit të punimeve të Kuvendit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka informuar deputetët e tij se do të votojnë pro zgjatjes së mandatit të vettingut, një propozim ky i ardhur nga PS-ja për funksionimin e KPK deri në fund të vitit 2024.

Pak para se të futej në Kuvend, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se krahas zgjatjes së afateve të vettingut, Kuvendi do të votojë edhe ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, dy prioritete kyçe për Partinë Demokratike.

“Jo vetëm që nuk po biem ndesh me atë që kemi thënë por po bëjmë atë që kemi thënë. I japim shansin një drejtësie që të korrigjohet dhe t’i hedh prangat çdo personi që thyen ligjin dhe jo të merret vetëm me gjynahqarët por me ata të cilët abuzojnë me fondet publike.

Jam i nderuar t’ju them që Kuvendi do të miratojë sot dhe dy Komisione të rëndësishme, komisioni për reformën territorial dhe komisioni për reformën zgjedhore. Në veçanti arsyeja pse ndodhemi në atë parlament është reforma zgjedhore t’i rikthejmë legjitimitetin votës. Sot po hedhim një hap të madh përpara duke detyruar këto dy reforma. Vetingu në politik, ndalimi që kryeministri të ketë jo më shumë se dy mandate dhe një sistem maxhoritar i pastër janë pjesë e një pakete,  e cila nuk mund të lidhej me zgjatjen e afateve të vettingut për shkak të afateve. Vettingu i politikanëve është prioriteti kryesor i Partisë Demokratike.

Ne nuk i japim votë Partisë Socialiste, Partia Socialiste donte që vettingu t’i kalonte KLP-së dhe KLGJ-së të cilat janë të kapura prej saj.

Ajo që ndodh është kjo, ne sot me ndihmën e partnerëve SHBA, BE, ambasadorët Kim e Soreca në veçanti sepse nuk ka qenë vullneti politik i PS që sot të votohen këto të dyja, tani është vullnet për shkak të prioritetit kryesor të shqiptarëve luftën kundër korrupsionit kudo që ndodhet”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë