Rithemelimi njoftoi të premten se Departamentet e Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes janë në përmbyllje të hartimit të programit qeverisës 2025-2029.
Përmes një paneli nga selia, PD e Rithemelimit publikoi disa prej pikave kryesore të programit.
Demokratët njoftojnë për reformë të thellë të sistemit fiskal aktual, uljen e numrit të shkallëve të ndryshme tatimore, implementimin e një takse të sheshtë 10% mbi kapitalin, tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Premtohet gjithashtu të hiqet taksimi progresiv. 10% tatim edhe mbi të ardhurat jo nga paga si dhe zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
“Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël do të jetë në 18 milionë lekë, ndërsa kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë 14 milionë lekë xhiro vjetore.
Ulje nga 15% në 2% të taksës së shitjes së pronës.
Do të hiqet “Taksa Rama” mbi karburantet. Çdo litër karburant do të kushtojë 24 lek më lirë.
Paketë e plotë mbështetëse për familjet e reja, që nga subvencionimi i normave të interesit për blerje banese, te rritja e ndjeshme e bonusit të bebes, te granti mujor për çdo fëmijë deri në moshën 21 vjeç, përjashtimet nga taksat e nënave me shumë fëmijë, etj”, janë disa nga premtimet e PD-së së Rithemelimit. Edhe në këtë panel, ashtu si gjatë prezantimit për programin për arsimin nuk u paraqit se sa është kostoja e këtij programi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.