Në konferencën e përbashkët për shtyp në përfundim të vizitës disaorëshe të Edi Ramës dhe Dritan Abazoviç në Kiev, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy kërkoi nga dy vendet që të ngrenë vazhdimisht me forcë në NATO çështjen e sigurisë në vendin e tij.
Zelenskyy falenderoi dy vendet për mbështetjen e dhënë, ndërsa theksoi se ato janë mbështetëse gjithashtu të aplikimit të Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Ai shtoi se është e rëndësishme Ukraina të ketë mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s, sepse çështja e sigurisë është prioritet dhe se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si anëtarë të NATO-s, mund të ngrenë çështjen e sigurisë së Ukrainës në takimet e Aleancës.
Dritan Abazoviç foli për mediat duke thënë se shkuan për të mbështetur Ukrainën.
“Të gjithë vlerësojnë shumë përpjekjet e Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit për të treguar solidaritet me popullin ukrainas. Ne jemi këtu për gjetjen e një zgjidhjeje në dialog, por gjëja më e rëndësishme është ndalimi i sulmeve, agresionit dhe vrasjes së civilëve”, tha kryeministri malazez Dritan Abazoviç për televizionin shtetëror malazez.
Ndër të tjera tha se qytetet e shkatërruara nga lufta dëshmojnë një katastrofë të madhe humanitare.
“Është tragjike ajo që pamë dhe dëgjuam. Duhet të jemi krenarë për qytetarët e Malit të Zi që zgjodhën paqen. Paqja nuk ka çmim, paqja është gjithçka që na nevojitet. Gjëja më e rëndësishme është të jetojmë në paqe, ky është supozimi më i rëndësishëm i çdo gjëje”, tha kryeministri malazez.
Më herët, Presidenti ukrainas publikoi në rrjetet sociale pamje nga momenti i pritjes së Ramës dhe Abazoviç.
“Partnerët ndërkombëtarëv vazhdojnë të mbështesin dhe vizitojnë Ukrainën”. Me këto fjalë ka pritur në Kiev Edi Ramën dhe Dritan Abazoviç, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Shënimi shoqërohej me një video të shkurtër pak më shumë se dy minuta, ku tregohen momente që nga pritja e shtrëngimi i duarve me Ramën dhe Abazoviç, fotoja e rastit e deri te takimi me ta.
Më herët, Rama e Abazoviç vizituan qytetin e Irpinit, një prej zonave më të nxehta të luftës në javët e para të saj. Dy Kryeministrat panë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga bombardimet ruse në zonat e banuara civile.
Shqipëria dhe Mali i Zi u janë bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. I vetmi vend në Ballkan që nuk po ndjek këto sanksione është Serbia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.