Nga Gazeta ‘Si’- Pas samitit të së premtes në Alaskë mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, bisedimet për Ukrainën zhvendosen në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Volodymyr Zelensky do të flasë me Trump për atë që ka diskutuar me Putinin, ndërsa shoqërohet nga udhëheqësit e Evropës, dhe shefin e NATO-s, Mark Rutte.
Krahas Rutte, të pranishëm do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti finlandez Alexander Stubb.
Zelensky dhe Meloni tashmë kanë mbërritur në Uashington. Sipas axhendës, në Shtëpinë e Bardhë, liderët evropianë pritet të mbërrijnë në orën 18:00. Në orën 19:15 (sipas asaj shqiptare) pritet të nisë takimi dy palësh mes Zelenskyt dhe Trump.
Më pas do të përshendeten me udhëheqësit evropianë në 20:15. Çerek ore më vonë është planifikuar një foto në grup dhe takimi i përbashkët në 21:00.
Me të mbërritur në Uashington, Zelensky, përmes një postimi në X, shprehu mirënjohje për SHBA-të dhe miqtë evropianë, teksa shtoi se duhet ushtruar presion ndaj Rusisë që të arrihet një paqe e drejtë dhe t’i jepet fund luftës që nisi ajo vetë.
“Jam mirënjohës. Ne të gjithë ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Jam i bindur se ne do ta mbrojmë Ukrainën, do të sigurojmë sigurinë e saj dhe populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Trump, Amerikës dhe çdo partneri për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar. Rusia duhet ta përfundojë këtë luftë, të cilën e filloi vetë. Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën dhe miqtë tanë evropianë mund ta detyrojë Rusinë të bëjë një paqe të vërtetë.”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, Trump, para takimit, shkroi në Truth Social se është Zelensky ai që ka në dorë t’i japë fund luftës nëse dëshiron dhe se nuk mund të pretendojë të rimarrë Krimenë tashmë të aneksuar nga Rusia apo të anëtarësohet në NATO.
“Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë!”, shkroi mes të tjerash Trump.
Një ditë më parë, udhëheqësit evropianë, nëpërmjet një takimi virtual të “koalicionit të vullnetshmëve”, konfirmuan mbështetjen e tyre për Ukrainën. Ata riafirmuan unitetin përballë agresionit rus dhe theksuan se, në mungesë të një armëpushimi, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian duhet të rrisin presionin ndaj Moskës.
Takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë vjen pas episodit ‘kaotik’ të shkurtit në Zyrën Ovale, kur presidenti amerikan e akuzoi homologun ukrainas për mosmirënjohje dhe i kritikoi se po luan ‘bixhoz me Luftën e Tretë Botërore’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



