Politike

Zelensky bisedë telefonike me Ramën: Në diskutimet për paqen duhet të jenë edhe Ukraina e Evropa

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama, ku falenderoi qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Në një postim në rrjetin social X, Zelensky e vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në iniciativat diplomatike evropiane duke theksuar se është thelbësore që Evropa të jetë e angazhuar në proceset e bisedimeve dhe vendimmarrjeve lidhur me Ukrainën. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur SHBA dhe Rusia kanë nisur diskutimet për arritjen e paqes në Ukrainë, por presidenti Trump ka përjashtuar nga këto bisedime BE-në dhe Kievin Zyrtar.

“Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve. Gjithçka në lidhje me Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës, dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës”, shkruan Zelensky.

Në bisedën e tyre, Rama-Zelensky diskutuan edhe mbi mundësitë për projekte të përbashkëta, duke u fokusuar në hapa të koordinuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Presidenti Zelensky theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes vendeve është i domosdoshëm për forcimin e sigurisë në të gjithë Evropën.

“Një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuar janë thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkruan Zelensky në X.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë