Bota

Zelenski viziton Italinë, Matarela: Jemi në krah të Ukrainës, duhet paqe e vërtetë

Gazeta Si – Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka bërë sot një vizitë në Itali, ku është takuar me krerët më të lartë të këtij vendi. Nën masa të rrepta sigurie, ai është pritur nga zv.kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme, Antonio Tajani, ambasadori ukrainas në Itali Jarosllav Melnik dhe ambasadori i Italisë në Kiev, Pier Françesko Zazo.

Zelenski ka pasur një takim me presidentin e Italisë, Serxhio Matarela, i cili e ka garantuar për mbështetje ndaj Ukrainës. “Italia është plotësisht përkrah jush” – theksoi Matarela.

Zelenski ne momentin e mberritjes ne Rome. gazeta Si, 13 maj 2023

“Paqja, për të cilën të gjithë punojmë, duhet të na rikthejë drejtësinë dhe të drejtën ndërkombëtare. Duhet të jetë një paqe e vërtetë. Rikonfirmoj mbështetjen e plotë të Italisë ndaj Uklrainës me ndihma ushtarake, financiare, humanitare.

Janë në lojë jo vetëm pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, por edhe liria e popujve dhe rendi ndërkombëtar”, – shtoi më tej presidenti i Italisë, Matarela.

Zelenski dhe Meloni. Gazeta Si, 13 maj 2023

“Jam këtu për të falënderuar Italinë, fitorja jonë është paqja. Kemi vlera të përbashkëta” – u shpreh lideri ukrainas, që më pas ka takuar edhe kryeministren Xhorxhia Meloni. Gjatë pasdites ai do të ketë edhe një takim me Papa Frençeskun. Roma ka qenë e blinduar, me një plan masash sigurie të rreptë.

Gjatë pasdites Zelenski ka shkuar në Vatikan, ku ka takuar Papa Frençeskun, i cili i ka dhuruar presidentit ukrainas një skulpturë të vogël ulliri, që simbolizon paqen. Presidenti Zelensiki i ka dhuruar Papës një ikonë të pikturuar më mbetjet e një jeleku antiplumb.

“Ju falënderoj për vizitën” – i ka thënë Papa Françesku Volodimir Zelenskit. Presidenti ukrainas i është përgjigjur Atit të Shenjtë: “Është një nder i madh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë