Bota

Zelenski: Po na mbarojnë raketat, pa ndihmën amerikane do ta humbim luftën

Gazeta Si – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, ka thënë të dielën se Ukraina do ta humbë luftën kundër Rusisë, nëse Kongresi amerikan nuk miraton një paketë të madhe të ndihmës ushtarake, teksa forcat ruse e rrisin prezencën në vijën e frontit.

Ushtria ukrainase e ka pranuar se luftimet rreth vijës së frontit në qytetin Çasiv Jar janë “të vështira”, mirëpo forcat janë duke rezistuar.

Ukraina vazhdon të kërkojë ndihmë urgjente prej Shteteve të Bashkuara, sidomos për paketën e propozuar në vlerë të 60 miliardë dollarëve, e cila është bllokuar që disa muaj nga republikanët në Kongres.

“Është e nevojshme që specifikisht t’i tregojmë Kongresit që nëse Kongresi nuk ndihmon Ukrainën, do ta humbë luftën”, ka thënë Zelenski përmes një video-regjistrimi, duke nënvizuar se ushtrisë “po i mbarojnë furnizimet me raketa”.

Do të jetë e “vështirë” për Ukrainën “të mbijetojë pa ndihmë”, ka thënë Zelenski. “Nëse Ukraina humb luftën, shtetet tjera do të sulmohen”.

Rusia i ka rritur sulmet në Çasiv Jar teksa teton të rrisë territorin nën kontrollin e saj. Çasiv Jar është më pak se 30 kilometra prej Kramatorskut, një zonë e rëndësishme hekurudhore dhe logjistike për ushtrinë ukrainase.

“Situata është e vështirë dhe e tensionuar”, ka thënë Oleg Kalashnikov, zëdhënës për brigadën ushtarake të angazhuar në atë zonë.

Republikanët konservatorë në Kongresin amerikan hezistojnë të miratojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, me arsyetimin se nevojiten reforma të thella për imigrimin në Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë