Bota

Zelenski, për Krishtlindje: Të gjithë kemi një ëndrrër që Putini të vdesë!

Gazeta Si – Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenski për të tretin vit radhazi ka uruar Krishtlindjen teksa vendi i tij ndodhet në agresion nga Rusia.

Në urimin e publikuar për qytetarët ukrainas përmes një videoje, ai tha se të gjithë luten që kjo gjë të mbarojë, luten për paqe dhe luftojnë për të.

Por mes rreshtash, tha gjithashtu se një dëshirë të cilën ukrainasit e mendojnë privatisht është edhe që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të ndërrojë jetë në mënyrë që lufta të përfundojë.

“Sot ne të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe kemi një dëshirë të përbashkët. Urojmë që ai, (Putin) të vdesë. Secili prej nesh mund ta mendojë privatisht, por kur kthehemi tek Zoti, sigurisht që kërkojmë më shumë. Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Ne luftojmë për këtë dhe ne lutemi për këtë”- tha Zelenski në mesazhin e tij të urimit.

Sa i përket planit të paqes, Zelenski e përshkroi atë si përpjekjen më të madhe të Ukrainës për t’i dhënë fund luftës dhe theksoi se topi tani është në fushën e Rusisë.

Ai tha se teksti i ri po i paraqitet Moskës nga Shtetet e Bashkuara dhe Kievi është duke pritur një përgjigje.

Sipas presidentit ukrainas, shumica e pikave “pasqyrojnë kryesisht qëndrimin e përbashkët ukrainas-amerikan”.

Megjithatë, Uashingtoni dhe Kievi nuk arritën një marrëveshje për dy çështje kritike dhe të vështira: e ardhmja e territoreve ukrainase në Donetsk dhe kontrolli i një termocentrali të madh bërthamor nën pushtimin rus.

Për çështjen e fundit, Kievi propozoi menaxhimin e përbashkët të termocentralit me Shtetet e Bashkuara si një zgjidhje.

Zelensky theksoi gjithashtu se gjatë këtyre ditëve ukrainasit luten për ushtarët në vijën e frontit, që të kthehen gjallë në shtëpi, për të burgosurit e luftës që të rikthehen te familjet e tyre, si dhe për nderimin e kujtimit të atyre që kanë rënë duke mbrojtur vendin.

Ai përmendi edhe qytetarët e detyruar të jetojnë nën pushtim apo të largohen nga shtëpitë e tyre, duke theksuar se “Ukraina nuk do t’i humbasë kurrë ata që nuk e kanë humbur Ukrainën brenda vetes”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë