Gazeta Si – Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski nuk e ka firmosur marrëveshjen me SHBA për mineralet e rralla të Ukrainës dhe është larguar nga Shtëpia e Bardhë, duke anuluar edhe konferencën për shtyp.
Kjo për shkak të një debati të tensionuar mes Zelenskit, Presidentit amerikan Donald Trump dhe zëvendësit të tij JD. Vance, diskutime të cilat u transmetuan live në televizion.
Tensionet ishin të dukshme mes palëve. Diskutimet me tone të larta dhe kritikat e forta të bëra nga Trump-Vance ndaj Zelenskit, bënë që marrëveshja të mos nënshkruhej.



Në këtë mënyrë, presidenti ukrainas u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe konferenca për shtyp që ishte lajmëruar paraprakisht, u anulua.
Pas këtij momenti, Trump ndau një deklaratë pas takimit të tij me presidentin ukrainas. Ai tha se Zelenski nuk e respektoi Amerikën dhe mund të kthehet kur të jetë gati për paqen me Rusinë.
Postimi i tij i plotë në Truth Social: “Patëm një takim shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë sot. U mësua që shumë gjëra nuk mund të kuptoheshin kurrë pa një bisedë nën një zjarr dhe presion të tillë. Është e mahnitshme ajo që del nëpërmjet emocionit, dhe kam arritur në përfundimin se Presidenti Zelenski nuk është gati për Paqe nëse Amerika është e përfshirë, sepse ai ndjen se angazhimi ynë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Unë nuk dua avantazh, dua PAQEN. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e saj të shenjtë Ovale. Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Trump dhe Zelenski u përplasën në mënyrë të vazhdueshme sot, ndërsa presidenti ukrainas i kërkoi homologut amerikan të jetë i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa miliarderi e paralajmëroi atë me tërheqje të mbështetjes amerikane.
SHBA është angazhuar mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare në Europë. SHBA, në këmbim kërkon marrëveshje për të shfrytëzuar mineralet e rralla të Ukrainës me vlerë miliarda dollarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.