Ana e errët

“Zbuloni nëse jam viktimë e përdorimit të armëve”. Shtohen denoncimet në polici nga problemet e shëndetit mendor

Një burim policor i tha gazetës “Si” se njoftoi mjekët për të qetësuar një shtetas i cili ishte i bindur që i kishin instaluar në kokë një pajisje që i sillte ç’rregullime me frymëmarrjen dhe gjithashtu edhe përndjekje.

Burime shumë të sigurta në policinë e Tiranës i thanë gazetës “Si” se, gjatë javës se shtetasi C.L u paraqit me veshje normale duke  pretenduar se po e përndiqnin dhe po i vështirësonin jetën.

“Ky shtetas, – bëjnë me dije burimet e gazetës “Si”, – tregoi problemet që sipas tij lidheshin me forca madhore  dhe që ja kanë bërë jetesën të vështirë”.

Shtetasi në fjalë, sipas asaj që thotë në polici, jeton vetëm, ndërsa të dy prindërit i kanë ndërruar jetë nga Covid.

I bindur se dikush po e përndjek, ai kërkoi hetime për njerëzit që sipas tij po i testojnë durimin.

“Zgjohem nga gjumi nga dridhje të  forta. Janë disa sinjale në kokën time që më shkaktojnë panik dhe më sjellin humbje ekuilibri dhe marrje mendsh. Trupi më dhemb çdo mëngjes kur zgjohem. Dhe gjatë gjithë ditës në punë jam i lodhur sikur t’më ketë kaluar rrymë. Kjo ma vështirëson frymëmarrjen dhe më sjell një shtrëngim në gjoks që nuk më liron nëse nuk vjell” deklaron ai në polici.

Megjithëse sipas policisë që në momentet e para, mbasi ka nisur që të shkruajë shpjegimet e shtetasit, oficeri është qartësuar se bëhej fjalë për probleme shëndetësore, regjistrimi i denoncimit nuk është ndërprerë.

Siç i thuhet gazetës “Si”  qytetari ka kërkuar që të përfundojë denoncimin me këmbënguljen se dikush e përgjonte  dhe e ndiqte në një mënyrë të pakuptueshme, ndonëse siç thotë ai kishte kufizuar në maksimum daljet me kolegët, dhe reduktuar aktivitetet jashtë punës.

“Mbyllem në banesë sapo përfundoj punën. Ka ditë që nuk i flas askujt. Telefonin nuk e mbaj pranë sepse ata që më përndjekin s’duhet të me arrijnë nga aparati. Mbrëmë u rrëzova përtokë në kuzhinë mbasi më kapën të dridhurat dhe dhimbje koke. Kjo  që më ndodhi, e kam ndjerë në gjumë dhe disa herë të tjerë gjatë këtij muaji. Dhe dyshoj që dikush po më bën tortura mendore mbasi synon që të zbulojë çfarë mendoj dhe çfarë di unë”, përshkruan shtetasi C,L.

Ndonëse është pyetur nëse përdor apo jo medikamente, dhe përgjigja ka qenë mohuese, ai ka këmbëngulur se nuk ishte i sëmurë.

Policia i tha gazetës “Si” se qytetari në fjalë është i punësuar në një kompani ndërtimi dhe mbasi e ka pyetur nëse ka një konflikte në detyrë, ai ka shpjeguar se është person i qetë dhe i kuptueshëm me të gjithë.

“ Në përfundim – shtoi zyrtari i policisë – të bindur se bëhej fjalë për problem të shëndetit mendor- njoftuam një autoambulancë me këshillën që qytetari të kryente një vizitë të menjëhershme. Ndërkohë që denoncimin e tij do ta referojmë së shpejti në prokurori , mbasi në rast se refuzojmë të mbajmë shënim pretendime të ndryshme, ka pasur raste kur oficerët janë  hetuar nga SHCBA sepse qytetarët i denoncojnë për mosveprim”.

Por ndërkohë një tjetër komisariat ai numër 3 i tha gazetës “Si” se edhe një 37 vjeçare, me arsim të lartë dhe ajo denoncoi shqetësime që sërish sipas policisë kanë lidhje me probleme të shëndetit mendor.

Denoncimi në këtë rast është kryer nga e reja me bindjen se asaj po i kontrollojnë mendjen.

”Disa herë kam dashur në vij në komisariat – thotë vajza- por kam probleme me kujtesën afatshkurtër. Njëherë kam thirrur autoambulancën dhe gjendja është stabilizuar. Më pas shkova tek forcat xhenio për të marrë informacion për gjendjen time mbasi kam të vjella, tkurrje  muskulore dhe zgjim te befasishëm. Kërkoj nga organet ligjzbatuese që të zbulohet  shkaku i këtyre sulmeve paniku, mbasi këto janë sulme psikike  dhe dua që policia të zbulojë nëse jam apo jo viktimë e përdorimit të armëve të ndaluara” .

Edhe në këtë rast policia shpjegon se bëhet fjalë për qytetarë të ngarkuar nga ankthi i ditës, që nuk kuptohen nga asnjëri prej të afërmve të tyre se familjari ka probleme me depresionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë