Gazeta Si – Katër gra kineze, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në një vilë dykatëshe që kishin marrë me qira në lagjen e plazhit në Durrës, janë arrestuar.
Policia tha se në pranga kanë rënë F. W., 46 vjeçe (një prej organizatoreve), si dhe M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe që ushtronin këtë veprimtari. Po ashtu, janë proceduar penalisht 2 gra të tjera kineze dhe 8 “klientë” shqiptarë.
Ndërsa është shpallur në kërkim edhe një angleze e identifikuar si K.P., e cila dyshohet si një prej organizatoreve të këtij rrjeti prostitucioni.
Anglezja dhe 46-vjeçarja kineze kishin marrë vilën dykatëshe me qira dhe e kishin përshtatur si ambient për të ushtruar veprimtarinë kriminale.
Dyshohet se qendra e grupit është jashtë vendit nga ku kryheshin telefonata nëpërmjet “Call Center”-it. Ndërsa gjatë kontrolleve të zhvilluara nga policia, janë sekuestruar 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash në euro dhe dollarë dhe karta banke.
Në këtë veprimtari të paligjshme rezultojnë të përfshirë edhe tetë shqiptarë. Siç shihet edhe në videon e publikuar nga blutë e Durrësit, janë sekuestruar shuma parash që ishin fshehur brenda jastëkëve, celularë apo karta banke.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.