Nga Gazeta “SI”– Një statujë e vogël prej guri gëlqeror, rreth 12 centimetra e lartë, është zbuluar pranë qytetit Kołobrzeg në Poloni nga një fermer lokal në vitin 2022. Pas analizave të kryera nga studiuesit, është konfirmuar se objekti daton mbi 6,000 vjet më parë, duke e renditur ndër gjetjet më domethënëse të periudhës neolitike në Evropën Qendrore.
Figurina është pagëzuar si “Venusi i Kołobrzegut”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj statujave të famshme të quajtura “Venus”, të cilat janë zbuluar në të gjithë kontinentin dhe që paraqesin gra me gjinj të theksuar , simbolikë e pjellorisë dhe e feminitetit të shenjtë në kulturat e lashta.
Zbulimi është veçanërisht i rëndësishëm pasi “Venusi i Kołobrzegut” është figura e parë e këtij lloji e zbuluar në veri të maleve Karpate, duke e bërë atë unik për gjeografinë ku u gjet.

Pavarësisht rëndësisë kulturore, figura është e punuar në mënyrë tepër të thjeshtë. Ajo nuk ka tipare fytyre të dallueshme, ndërsa gjymtyrët e poshtme duket se janë formuar përmes goditjes me një mjet të fortë. Pjesa e pasme e saj është e sheshtë, çka sugjeron se mund të jetë fiksuar mbi një sipërfaqe apo të jetë ekspozuar në pozicion vertikal, ndoshta në ndonjë vend ritual apo shenjë totemike.
Ky zbulim sjell ndër mend figura të tjera të famshme të Neolitit, siç është “Venusi i Willendorfit”, një statujë rreth 30,000 vjeçare e zbuluar në Austri, e cila vazhdon të tërheqë vëmendjen e arkeologëve dhe antropologëve. Studiuesit e kanë cilësuar “Venusin e Kołobrzegut” si një hallkë të re dhe premtuese në zinxhirin e gjatë të simbolikave që i kanë paraprirë civilizimeve të njohura.
Ky zbulim është raportuar së fundmi në The Art Newspaper, dhe pritet të ngjallë diskutime të reja mbi shtrirjen kulturore dhe simbolike të figurave të pjellorisë në Evropën parahistorike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.