Trashëgimi

Zbulohet në Bullgari varri ‘luksoz’ i një luftëtari thrak

Nga Gazeta “SI”- Arkeologët në jug të Bullgarisë kanë bërë një zbulim të rrallë: një varr luksoz që i përkiste një luftëtari të elitës thrake, i datuar në shekullin e 2 para Krishtit. Zbulimi u bë pranë fshatit Kapitan Petko Voivoda, në rajonin e Topolovgradit, gjatë punimeve për vendosjen e një kablloje elektrike.

Ekipi i Akademisë Bullgare të Shkencave, i udhëhequr nga arkeologët Vladimir Staykov dhe Deyan Dichev, me mbikëqyrjen e specialistes së njohur të kulturës thrake, Dr. Daniela Agre, gjeti një gropë varrimi të ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Në të ishin eshtrat e një burri rreth 35–40 vjeç, i varrosur bashkë me kalin e tij të luftës,  një zakon i fisnikëve thrakë.

Varri ishte i pasur me sende të çmuara si një kurorë ceremoniale prej argjendi të veshur me ar mbi kokën e të ndjerit, një byzylyk dhe unazë argjendi, si dhe një fibulë e punuar me mjeshtëri. Armatimi përfshinte një heshtë hekuri, pjesën qendrore të një mburoje dhe një shpatë të lakuar greke (machaera) me dorezë të zbukuruar me ar dhe gurë gjysmë të çmuar.  Një gjetje unike për arkeologjinë bullgare.

Edhe kali ishte zbukuruar me pajisje luksoze. Medalione ari, argjendi dhe bronzi, të veshura me ar dhe të punuara në reliev me skena nga mitologjia greke, ku shfaqej Herakliu duke luftuar me gjigandin Antaeus.

Sipas arkeologëve, ky është viti i dytë radhazi që zona përreth fshatit Kapitan Petko Voivoda nxjerr në dritë zbulime të jashtëzakonshme. Vetëm një vit më parë, aty u gjet një tjetër varr fisniku thrak, i lidhur me forcat romake, po ashtu i pasur me armë dhe bizhuteri ari.

Specialistët besojnë se bëhet fjalë për një nekropol dinastik të elitave thrake të periudhës së vonë helenistike. Zbulimet ofrojnë dëshmi të rralla mbi jetën, zakonet dhe lidhjet e kësaj shoqërie të lashtë, ku traditat vendase ndërthureshin me ndikimin grek dhe romak.

Gërmimet vazhdojnë, dhe arkeologët shpresojnë të zbulojnë më shumë për pushtetin dhe marrëdhëniet ndërkulturore në Thrakën e lashtë gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë