Gazeta Si – Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 4 persona për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim nga policia.
Bëhet fjalë për administratorin dhe 3 punonjësit e një firme, të cilët ishin pjesë e disa kompanive të angazhuara për punimet restauruese në Prokurorinë e Elbasanit.
Në vitin 2020 në sistemin e ftohjes të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, janë konstatuar disa problematika që kanë pasur të bëjnë me mosfunksionimin e aparaturës “Chiller”, të instaluar nga subjekti ndërtues, nënkontraktor.
Nga disa verifikime dhe të dhëna paraprake të marra nga specialistë të fushës, ka rezultuar se pajisja në fjalë kishte dalë nga funksionimi.
Gjithashtu, janë konstatuar nga firma ndërtuese punime të faturuara që nuk janë kryer realisht, instalime të pajisjeve të kondicionimit me fuqi më të ulët se preventivi dhe nevojat e ngrohje-ftohjes së godinës.
Deri në këto momente, policia ka vënë në pranga shtetasin Ardian Lloshi dhe Ibrahim Dragoshi, të dy banues në Tiranë, administratorë në dy subjekte të ndryshme, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Ded dhe Vladimir Maluta.
Këta shtetas kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe dyshohet se kanë shkaktuar një dëm prej 3.569.714.29 lekësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




