Futboll

Zbulohet logo zyrtare e Botërorit 2026, Infantino: Grupet, mbi bazë rajonale

Gazeta Si – Faza në grupe e Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të organizohet mbi bazën rajonale, për të limituar udhëtimet e gjata. E ka zbuluar këtë detaj presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino.

Ky është edicioni i parë që një Botëror organizohet nga tre vende të ndryshme, si dhe i pari në histori me 48 skuadra, nga 32 të edicioneve të fundit. “Sfida e madhe është logjistika”, – ka pranuar Infantino në Los Anxheles, ku ndodhej për të prezantuar logon zyrtare të eventit.

Infantino prezanton logon e Boterorit 2026. Gazeta Si, 18 maj 2023

Botërori 2026 duhet të bëjë llogaritë me distancat e gjata, ndryshimin e orareve, ndryshimet klimatike, nivelin e lartësisë në Maksikë dhe nivelin e detit në rajone të tjera. “Për ne është e rendësishme të krijojmë ambientin e duhur, në mënyrë që skuadrat dhe tifozët të kenë kushtet më të mira të mundshme”, – shtoi Infantino.

“Kjo do të thotë se nuk duhet udhëtuar shumë, veçanërisht në fillim. Do të krijojmë grupe, ku skuadrat do të kenë bazën, sipas shortit. Ishte një avantazh në Kupën e Botës në Katar që një lojtar, një orë pas ndeshjes, ishte në shtrat”, – tha presidenti i FIFA-s.

Ish-ylli i SHBA-ve, Aleksi Lalas, e mbështeti propozimin e Infantinos: “Po flasim për udhëtime që ndonjëherë zgjasin deri në 6 orë dhe ndryshime oraresh. Për shumë lojtarë që vijnë nga vende të tjera ndryshon radikalisht turneu, kështu që ideja për grupime në rajone ka sens”, – tha ai gjatë ceremonisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë