Motosport

Zbulohet klauzola e pikëve në kontratën e Leklerk, e ardhmja te Ferrari në dyshim

Gazeta Si – Konsulenti i Red Bull-it ka shpjeguar se mund të ketë një ‘divorc’ mes Ferrarit dhe pilotit francez. Ai ka zbuluar klauzolën mes palëve, duke pohuar se në një situatë të ngjashme Fetel u bashkua me Ferrarin në 2015-ën.

Merkatoja e pilotëve të Formula 1 nuk është ndezur ende, por ky është momenti për të menduar për një gjë të tillë. Sepse përveç Ljuis Hemilton, në fund kontrate me Mercedesin, me interes paraqitet edhe situata me Sharl Leklerk.

Nënkampioni i botës ka një kontratë me Ferrarin deri në 2024-ën, por situata mund të ndryshojë. Francezi është në vend të 10-të pas 3 garave të para të Botërorit, me 6 pikë. Në të njëjtën kohë të 2022-shi ai ishte lider i klasifikimit, me 71 pikë. Një diferencë e madhe për shkak të problemeve teknike, gabimeve të pilotit dhe një niveli kompetitiv të SF-23 larg pritshmërive.

Kjo diferencë pikësh peshon shumë, jo vetëm për ambiciet sezonale, por edhe për qëndrimin e Leklerk te skuderia italiane. Helmut Marko, konsulent i Red Bull-it, ka zbuluar se ka një klauzolë në kontratën e pilotit me Ferrarin, që mund të ndryshojë gjithçka.

Helmut Marko, konsulent i red Bull. Gazeta Si, 24 prill 2023

Lamtumira e mundshme e francezit nga Ferrari, sipas tij, do të ndodhte, nëse piloti nuk arrin një kuotë të caktuar pikësh. Për ‘Sport Bild’ Marko është shprehur: “Për momentin po bën mirë te Ferrari Karlos Sainz. Për Sharl Leklerk situata është ndryshe. Piloti ka një minimum pikësh në kontratë, që duhet ta arrijë. Nëse nuk e arrin atë, të dyja palët janë të lira për ta prishur kontratën”.

“Një klauzolë e tillë bëri të mundur që Sebastian Fetel të bashkohej me Ferrarin në 2015-ën”, – ka shpjeguar më tej Helmut Marko. Leklerk ka theksuar së fundi se dëshiron të shpallet kampion me Ferrarin dhe vështirë se do të heqë dorë nga kjo skuderi, por çdo skenar është i mundur.

Paraqitjet dhe rezultatet kanë ndikim të madh në vendimet e pilotëve të kalibrit. Dhe ekzistenca e klauzolës që lidhet me pikët mund të sjellë zhvillime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë