FIFA ka mbajtur një qëndrim të prerë në lidhje me spekulimet e fundit për projektin e një turneu mes klubeve më me emër në botë. “Kush luan në Superligën e Europës, do të mbetet jashtë futbollit ndërkombëtar, jashtë kompeticioneve tona”. Ky është qëndrimi i FIFA-s, bashkë me 6 konfederatat kontinentale.
Një kërcënim i pastër për klubet më të mëdha në Europë, si Real Madrid, Juventus, Bayern Munich, Milan etj., që kohët e fundit kanë hedhur idenë e organizimit të një Superlige, konkretisht për një kampionat mes 18 klubeve, ku ndeshjet do të luhen me sistemin vajtje-ardhje. Por FIFA nuk është aspak dakord dhe tani e ka bërë të qartë pozicionin e saj në lidhje me këtë çështje.
Por si pritet të funksionojë Superliga? Një draft prej 18 faqesh ka dalë në dritë ku përmban informacion në lidhje me strukturën se si do të duket Superliga Evropiane. Gjashtë klube të Premier League janë mesin e 15 anëtarëve themelues dhe të përhershëm, me Real Madridin, Manchester United, Liverpoo dhe Milan – të cilët do të kenë një vend të sigurt.
Për të filluar garën, 15 klubet themeluese do të përfitojnë 350 milionë euro. Banka e investimeve JPMorgan Chase qëndron prapa financimit të këtij kompeticioni dhe 15 klubet e lartpërmendura do të ndajnë fillimisht një grant fillestar prej 3.5 miliardë eurosh për tu shpenzuar në fusha futbolli, ambiente trajnimi ose për të ekuilibruar bilancet pas krizës COVID-19.
Të drejtat e TV dhe të ardhurat nga sponsorizimi do të ndahen: 32.5 për qind e tyre do të shpërndahet për 15 themeluesit e ligës dhe 32.5 për qind të tjera që do të ndahen midis të gjitha 20 klubeve të Superligës. Do të përbëhet nga dy grupe me nga 10 dhjetë klube secili, të cilët do të luajnë si brenda ashtu edhe jashtë.
Ndeshjet do të zhvillohen në mesjavë për t’i dhënë klubeve mundësinë për të vazhduar garën në ligat e tyre të brendshme. Të gjitha klubet do të kenë mundësi të fitojnë më shumë nga të drejtat televizive.
Ky draft dhe takimi i fundit midis presidentit të Real Madridit, Florentino Perez dhe shefit të Shoqatës së Klubeve Evropiane, Andrea Agnelli, kanë alarmuar FIFA-n që lëshuan deklaratën duke paralajmëruar klubet që mendonin të merrnin pjesë në Superliga.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.