Gazeta Si – ‘Sport’ në Spanjë ka publikuar disa pjesë të bisedave mes drejtuesve katalanas të erës ‘Bartomeu’. “I kemi dhënë gjithçka, kurse ai ka instaluar një një diktaturë”, – është një nga fjalitë referuar yllit argjentinas.
Sulme të forta drejtuar Lionel Mesit nga ana e ish-drejtuesve të Barcelonës. Zbulohen disa bashkëbisedime të përgjuara nga policia katalanase, që janë publikuar nga ‘Sport’. Ato i referohen fillimit të 2021-shit, kur Mesi po futej në muajt e fundit të kontratës me Barcelonën.

Shtatë herë fituesi i ‘Topit të Artë’ etiketohet se “mi kanalesh’ apo “xhuxh hormonal”. Ai akuzohet se ka instaluar një diktaturë të brendshme në klub për sa u takon politikave të transferimeve dhe rinovimeve.
Protagonistë të bisedave në ‘WhatsApp’ janë ish-presidenti Josep Maria Bartomeu, ish-administratori Oskar Grau, drejtori financiar Panço Shroder, drejtori i strategjisë së inovacionit Havier Sobrino dhe menaxherë të tjerë, si Jordi Moix, Oriol Tomàs e David Belver.
Më elokuenti nga të gjithë është Roman Gomez Ponti, atëherë shef i shërbimeve ligjore të Barcelonës. Nga pajisjet e tij elektronike janë bërë edhe përgjimet e ‘Mossos d’Esquadra’. Shkëmbimi i opinioneve në grup ndizet veçanërisht ditën kur e përditshmja ‘El Mundo’ publikon detajet e kontratës së Mesit.
Bëhet fjalë për janarin e 2021-shit dhe era ‘Bartomeu’ ishte mbyllur prej pak muajsh. “Barto, vërtet nuk mund të jesh kaq i sjellshëm me këtë mi kanalesh, – janë fjalët e Pontit për ish-presidentin. – Klubi i ka dhënë gjithçka dhe ai instalon diktaturën e tij për blerjet, transferimet, rinovimet, sponsorët.
Vetëm për të. Shifrave të kontratës së tij u shtohen Pinto, rinovimi i Suarez dhe ai i Zhordi Albës, komisioni i rinovimit për Fati… Dhe mbi të gjitha fyerjet që klubi dhe ne që punojmë për të kemi marrë nga ky xhuxh hormonal, që i detyrohet përjetësisht Barcelonës”.
Ponti më tej zbulon se Mesi në 2020-ën kishte bërë presion që të mos reduktohej paga e tij dhe e mikut të tij Suarez: “Kur gjërat shkojnë keq (i referohet kohës së pandemisë) të vjen mesazhi mitik: ‘President, ul rrogat e të tjerëve, por mos prek Luisin dhe mua’. Le të kalbet mes indiferencës së njerëzve, është më e keqja që mund t’i ndodhë”.
Bartomeu nuk distancohet nga qëndrimi i kolegut: “Jam dakord me shumë gjëra, por para të gjithave është Barça dhe këta artikuj dëmtojnë imazhin e klubit”. Nga bisedat ngrihet dyshimi se ka qenë presidenti aktual Joan Laporta që u ka dhënë medieve detajet e kontratës së Mesit, edhe pse Bartomeu nuk është i bindur.
“Shumë herë e kemi dëgjuar Mesin, por jo gjithmonë. Shumë herë, – vazhdon ish-numri 1 me tone më të buta. – Kjo kontratë pa pandeminë do të ishte plotësisht e pranueshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




