Dhimbja e legenit, periodat me dhimbje dhe dhimbja gjatë marrëdhënieve seksuale janë të gjitha simptoma të zakonshme të endometriozës, një çrregullim ku indet të cilat në gjendje normale ndodhen brenda mitrës, rriten jashtë saj.
Megjithatë, simptomat e gjendjes, nga e cila vuajnë 176 milion gra në botë, mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme.
Ato mund të variojnë nga problemet me lodhjen deri te vështirësitë për të mbetur shtatzënë.
Shumë prej grave vështirë se marrin një diagnozë pavarësisht dhimbjeve pikërisht për shkak të shumëllojshmërisë së simptomave.
Bina Mehta, mjeke, thotë se mund të jetë e vështirë të diagnostikosh endometriozën sepse simptomat mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme.
Disa gra përjetojnë simptoma të rënda, ndërsa të tjerat jo. Dhe simptomat e tyre mund të jenë të ngjashme me gjendjet e tjera, duke përfshirë dhimbjen e menstruacioneve. Këtu janë 4 simptoma pak të njohura të endometriozës.
Probleme me zorrët
Edhe pse është një gjendje që ndikon në mitër dhe zakonisht shoqërohet me dhimbje menstruale, ajo gjithashtu mund të shkaktojë probleme me zorrët.
Për këtë arsye, endometrioza shpesh diagnostikohet gabimisht si IBS(Simptoma e zorrës së irrituar) për shkak të problemeve të tretjes që shkakton gjendja si dhimbje barku, fryrje dhe kapsllëk.
“Simptomat shkaktohen nga indi endometrial që ngjitet në zorrët dhe shkakton inflamacion, i cili mund të çojë në simptoma të tilla si fryrje, dhimbje barku dhe diarre”, sipas mjekes Caitlin Hall.
Ajo shton se në raste të rënda, indet endometriale mund të shkaktojnë bllokim në zorrë, duke çuar në kapsllëk, të përziera, madje edhe të vjella.
Mehta paralajmëron se në disa raste endometrioza mund të shkaktojë gjak në urinim.
“Ndonëse nuk ka shërim, ka trajtime që mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave, duke përfshirë ilaçet për lehtësimin e dhimbjeve dhe ilaçet hormonale”.
Lodhje
Ndjenja e lodhjes është gjithashtu një simptomë e endometriozës.
“Dhimbja kronike dhe inflamacioni i lidhur me gjendjen mund të kontribuojnë në këtë lodhje”, sipas mjekes Irem Tezer Ates.
Ajo shpjegoi se për shumë gra këto simptoma anashkalohen dhe të tjera luftojnë për të dalluar shenjat paralajmëruese.
Të qenit i rraskapitur fizikisht mund të jetë një simptomë dobësuese e gjendjes që ndikon në jetën e përditshme të grave, nivelet e stresit dhe gjumin.
Mendohet se lodhja shkaktohet nga përpjekja e trupit për të eliminuar gjendjen, sipas Fondacionit të Endometriozës së Amerikës.
Dhimbje gjatë urinimit
Ashtu si indi i endometriozës mund të rritet në zorrë, ai gjithashtu mund të rritet rreth fshikëzës, duke shkaktuar irritim.
Kjo është arsyeja pse mund të shkaktojë dhimbje gjatë urinimit.
Endometrioza e fshikëzës mund të jetë ose sipërfaqësore, kur indet gjenden në sipërfaqen e jashtme të fshikëzës, ose më e thellë, kur indi gjendet brenda murit të fshikëzës.
Simptomat përfshijnë acarim të fshikëzës, nevojën për të urinuar më shpesh, dhimbje kur fshikëza është plot, gjak i rastësishëm në urinë dhe ndonjëherë dhimbje në zonën e veshkave.
Probleme për të mbetur shtatzënë
Shumë gra me endometriozë luftojnë për të mbetur shtatzënë, por ende nuk është kuptuar pse.
Për shkak të mungesës së hulumtimit, lidhjet midis problemeve të fertilitetit dhe gjendjes nuk dihen plotësisht. Por mjekët besojnë se mund të jetë për shkak të gjendjes që shtrembëron organet riprodhuese.
Kjo mund të bëjë që gratë të kenë nevojë të bëjnë operacion ose të kalojnë IVF për të mbetur shtatzënë.
Por, Ates thotë se është një ide e gabuar që gratë me endometriozë nuk do të jenë në gjendje të mbeten shtatzënë fare në mënyrë natyrale.
Megjithatë, ajo pranon se mund të jetë më e vështirë për to.
“Nëse merrni një diagnozë dhe ende shpresoni të krijoni një familje, mos u dëshpëroni. Është vlerësuar se 60 deri në 70 për qind e grave me endometriozë mund të mbeten shtatzënë në mënyrë natyrale. Për ato që janë duke luftuar për të mbetur shtatzënë në mënyrë natyrale, opsionet përfshijnë kryerjen e një operacioni për të hequr njolla të indeve të endometriozës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




