Politike

Zbulohen dokumentet, Sali Berisha kërkoi dy herë vizë për në SHBA para zgjedhjeve, por u refuzua

Gazeta Si – Ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga administrata Biden në maj 2021, ka kërkuar dy herë vizë për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kërkesat e tij janë refuzuar nga Departamenti i Shtetit në SHBA.

Sipas TCH, kjo është zbuluar përmes dokumenteve zyrtare të depozituara në departamentin FARA, që tregojnë se kompania lobuese “Continental Strategy”, e lidhur me Partinë Demokratike të Shqipërisë, ka dërguar dy kërkesa për vizë për Berishën.

Kërkesa e parë u dërgua më 28 mars 2025, pak ditë përpara nisjes së fushatës zgjedhore. Kjo kërkesë ishte firmosur nga shoqata shqiptaro-amerikane dhe kërkonte një vizë njëkalimshme për Berishën për të vizituar diasporën shqiptare në SHBA.

Pas më shumë se një muaji pa përgjigje, një kërkesë tjetër u dërgua më 1 maj 2025, duke kërkuar një rishikim të mundësisë për të hequr sanksionet ndaj Berishës dhe për t’i mundësuar atij udhëtimin në SHBA.

Megjithatë, asnjë prej këtyre kërkesave nuk është marrë parasysh dhe Berisha mbetet ende i shpallur “non grata” nga administrata amerikane, pa asnjë komunikim zyrtar për ndonjë hap pas nga ana e SHBA.

Vetë kreu PD, i shpallur “non grata” në maj 2021 prej administratës Biden të enjten, gjatë një konference për shtyp, mohoi të ketë kërkuar marrjen e një vize amerikane për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.

Berisha shkoi më tej kur tha se që kur kishte lëne detyrën në vitin 2013, kurrë nuk kishte planifikuar një udhëtim të tillë.

Sipas dokumenteve të depozituara në FARA, kompania e lobimit “Continental”, e cila ka lidhur kontratën 6 milionë dollarëshe me Partinë Demokratike, ka bërë dy kërkesa në emër të Sali Berishes.

E para në datën 28 Mars, e firmosur nga përfaqësues të disa shoqatave shqiptaro-amerikane, mes të cilëve edhe Nuredin Seci që është garantuesi i 6 milionë dollarëve për kontratën e lobimit, ku i kërkohet Sekretarit të Shtetit Marco Rubio të pajisë me një vizë njëkalimshme afatshkurtër Sali Berishën.

Qëllimi i kësaj vize: takimi me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës elektorale.

Kjo kërkesë është shpërndarë nga “Continental Strategy”, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Por, kur pas më shumë se një muaji që kjo kërkesë për të pajisur Sali Berishën me vize është injoruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, “Continental PLLC”, studio ligjore e lidhur me “Continental Strategy”, që sipas kontratës 6 milionë dollarëshe ka nënshkruar një marrëveshje tjetër financiare me Partinë Demokratike, ka dërguar një letër të dytë, vetëm pak ditë më parë, në datën 1 maj.

Edhe kjo letër është depozituar pranë Departamentit te Shtetit nga “Continental Strategy” në emër të Partisë Demokratike.

Në të bëhet sërish thirrje që Sekretari i Shtetit Marco Rubio të heqë sanksionet ndaj Sali Berishës.

Letra mbyllet me lutjen e lobuesve të cilët theksojnë se shpresa e vetme për klientin e tyre mbetet një vendim i Marco Rubios.

Sanksionimi i Sali Berishes vazhdon të jetë i publikuar në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe deri më sot nuk ka asnjë komunikim zyrtar nga institucionet amerikane për ndonjë hap pas nga administrata e presidentit Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë