Ka ndodhur

Video/ Armë, tritol dhe mina me telekomandë në Elbasan, do përdoreshin për llogari të bandave kriminale

Gazeta Si – Një arsenal armësh është zbuluar në Elbasan në banesën e Luis Gaxhit, të cilat dyshohet se do përdoreshin për ekzekutimin e personave për llogari të grupeve kriminale.

Policia thotë se në pranga është vënë 37-vjeçari Luis Gaxhi, lindur dhe banues në Elbasan, si dhe Rigers Spahiu, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, për veprat “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Të dy të arrestuarit, dyshohet se janë bashkëpunëtorë në aktivitetin kriminal.

Armët e zjarrit janë zbuluar në një banesë me finalizimin e operacionit të koduar “Prevention”, ku u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në lagjen “Gurabardhi” të qytetit të Elbasanit edhe të pjesëve të pajisura me silenciatorë gati për veprim.

Konkretisht, në banesën e shtetasit Luis Gaxhi, u gjetën:

4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;

3 pistoleta me silenciatorë;

2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;

Kapsolla detonatore;

Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;

4 aparate celulare;

Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.

Si rezultat i hetimeve paraprake dhe dyshimeve të bazuara në prova, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Luis Gaxhi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë;

Ky shtetas u arrestua për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” , “Mbajtja dhe prodhimi i armëve luftarake në sasi të mëdha” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Rigers Spahiu, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, për veprat “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ky shtetas dyshohet si bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të shtetasit Luis Gaxhi.

“Referuar hetimeve proaktive te kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ekzistojnë indicie të bazuara në prova, se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e Policisë,” njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë