Ka ndodhur

Zbulohen 10 sera me kanabis në Thumanë, 2 persona të arrestuar

Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar dhe një është shpallur në kërkim për kultivim kanabisi në Durrës gjatë operacionit të koduar policor “Thumana”.

Policia thotë se kanë rënë në pranga K.L., 32 vjeç, banues në Gjorm, Kurbin dhe Q.F., 68 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë.

Ndërsa në kërkim u shpall A.F., 36 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë, djali i një prej të arrestuarve.

Gjatë kontrollit në Shkozë-Bardhë, në truallin pas banesës së 68-vjeçarit Q.F., janë konstatuar 10 sera, në të cilat ishin të kultivuara 925 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë banesë u gjet edhe një qese plastmasi me fara të dyshuara si ato kanabis sativa, si dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Një pjesë e fidanëve janë asgjësuar, kurse një pjesë tjetër janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një armë gjahu dhe farat e kanabisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë