Trashëgimi

Zbulimi tronditës: Njerëzit ndezën zjarr për herë të parë 400,000 vjet më parë, shumë më herët se mendohej

Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në Britaninë e Madhe po rishkruan historinë e evolucionit njerëzor. Studiuesit kanë identifikuar provat më të hershme të njohura të krijimit të qëllimshëm të zjarrit nga njerëzit – një aftësi që daton rreth 400,000 vjet më parë, shumë më herët nga sa besohej deri tani.

Zbulimi u bë në fshatin Barnham të Suffolk-ut, ku arkeologët e British Museum gjetën gjurmë të një vatre të lashtë, fragmente dheu të pjekur nga nxehtësia dhe mjete primitive prej guri të cilat, së bashku, dëshmojnë përdorimin e një teknike të hershme për ndezjen e zjarrit. Përkrah tyre u zbulua edhe minerali pirite – “flori i rremë” – i cili kur goditet me gurë të ashpër si stralli prodhon shkëndija të afta për të ndezur zjarr. Ky kombinim konsiderohet si forma e parë e “çakmakut” të njohur në historinë e njerëzimit.

Sipas arkeologëve Nick Ashton dhe Rob Davis, piriti nuk gjendet natyrshëm në atë zonë, çka provon se njerëzit e epokës së gurit e kishin mbledhur enkas për të krijuar zjarrin. Në të njëjtin vend u gjetën edhe vegla guri të çara e të deformuara nga nxehtësia e lartë, prova që tregojnë se zjarret janë ndezur në mënyrë të përsëritur.

Vendimtare ishte identifikimi i një shtrese balte me nuancë të kuqërremtë, e ndryshuar nga nxehtësia e fortë dhe e shkurtër, që tregon për vatra të vogla të ndezura në të njëjtin vend në periudha të ndryshme. Ky zbulim e bën Barnham-in, sipas ekspertëve, vendin e parë ku mund të provohet pa dyshim se zjarri është krijuar, jo thjesht shfrytëzuar nga natyra.

Shkencëtarët theksojnë se aftësia për të prodhuar zjarr me kërkesë ishte një moment kthese për njerëzimin. Ajo mundësoi gatimin, mbrojtjen, ngrohjen dhe organizimin social – elementë që ndikuan drejtpërdrejt në rritjen e kapacitetit të trurit, zhvillimin e gjuhës dhe krijimin e strukturave më të ndërlikuara shoqërore. Sipas Prof. Chris Stringer të Natural History Museum, zjarri i kontrolluar përbën një nga hapat më vendimtarë në evolucion.

Arkeologët besojnë se këto zjarrvënie janë kryer nga njerëz të hershëm të tipit Neandertal, shumë kohë përpara se Homo sapiens të mbërrinte në atë zonë. Ata sugjerojnë se teknika e ndezjes së zjarrit është përhapur më vonë si një inovacion kyç që u kalua nëpër grupe të ndryshme njerëzore.

Studimi, i publikuar në revistën prestigjioze Nature, pritet të nxisë kërkime të reja në gjithë Europën për të zbuluar se ku tjetër njerëzit e lashtë mund të kenë zotëruar aftësinë që ndryshoi përgjithmonë fatin e species njerëzore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë