Futboll

Zbulimi, si spiunonte Katari Infantinon dhe kryeprokurorin e Zvicrës

Gazeta Si – Shtypi zviceran ka zbuluar së fundi një histori spiunazhi, në qendër të të cilit janë Katari dhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. Sipas ‘Neue Zürcher Zeitung’, spiunazhi është bërë për llogari të Katarit, vendit organizator të Botërorit 2022.

Shërbimet sekrete të vendit arab kanë përgjuar një takim në vitin 2017 mes presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, dhe prokurorit të përgjithshëm të Zvicrës në atë kohë, Mikael Lauber. Ishte një takim që kishte të bënte me një hetim mbi drejtuesit e futbollit botëror.

Ish-prokurori i pergjithshem i Zvicres, Lauber, dhe Infantino. Gazeta Si, 13 mars 2023

Në raportin e zbuluar nga shtypi zviceëran shkruhet se agjentët e inteligjencës katariote, të lidhur me një ish-ish-zyrtar të CIA-s, kanë përgjuar takimin e Infantinos me Lauber në një hotel në pronësi të Katarit në Bernë. Përgjimi, sipas raportit, është bërë për “Projektin Matterhorn”, – i quajtur kështu nga mali i njohur zviceran, – për të mbledhur material për Lauber.

Në atë kohë po vazhdonte një hetim i nisur prej vitit 2014 kundër funksionarëve të futbollit, me një denoncim të FIFA-s për shkelje financiare që lidheshin me Kupën e Botës, përfshirë edhe fushatën fituese të Katarit për 2022-shin.

Ky artikull u shtohet raporteve të ‘Associated Press’ të 2021-shit, sipas të cilëve Katari ka shpenzuar miliona dollarë për shumë vite për të paguar agjencinë ‘Global Risk Advisors’ për të spiunuar FIFA-n dhe funksionarët e futbollit ndërkombëtar për të mbrojtur ‘Kupën e tij të Botës’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë