Lexo me "Si"

Zbulimi i testamentit të humbur rihap luftën për trashëgiminë e William Shakespeare

Nga Gazeta “SI”- Një testament që ka qenë i humbur për më shumë se 150 vjet dhe që ndodhej në qendër të një beteje të ashpër ligjore nga familja e William Shakespeare mbi pronësinë e shtëpisë së fundit të dramaturgut, është zbuluar në një kuti të paetiketuar në Arkivin Kombëtar.

Dokumenti origjinal i vitit 1642 u hartua nga Thomas Nash, i cili ishte i martuar me mbesën e Shekspirit, Elizabeth Hall. Në të ai ia linte New Place e konsideruar si shtëpia e dytë më e madhe në Stratford-upon-Avon ,kushëririt të tij Edward Nash.

Megjithatë, pas vdekjes së Thomas-it në vitin 1647, vajza e Shekspirit, Susanna Hall, dhe mbesa e tij Elizabeth, e veja e Thomas-it, refuzuan ta zbatonin testamentin, duke pretenduar se vetë testamenti i Shekspirit kishte përcaktuar që prona t’u takonte atyre dhe se Thomas nuk kishte të drejtë ta linte me testament.Si pasojë, Edward paditi Elizabeth-ën në gjykatën e kancelarisë për të kërkuar pronën e çmuar.

Testamenti i Nash u rizbulua tani në një kuti dokumentesh të kancelarisë së shekullit XVII dhe më herët, nga Dr. Dan Gosling, specialist i dokumenteve ligjore në Arkivin Kombëtar.

“Ishte një zbulim i jashtëzakonshëm,” tha Gosling, i cili po shfletonte kutitë që nuk kishin katalog, data apo përshkrim.

Dokumenti ishte i njohur në mesin e shekullit XIX pasi ishte parë nga një studiues i Shekspirit kur mbahej në kapelën Rolls. Më pas, gjatë riorganizimit të dokumenteve, përfundoi në kutinë e paetiketuar.

“Nuk ishte regjistruar dhe pastaj mbeti aty për rreth 150 vjet,” tha Gosling. Shekspiri bleu New Place, një banesë trekatëshe prej druri dhe tulle, për 60 £ në vitin 1597 dhe jetoi aty deri në vdekjen e tij më 1616. Ajo kishte 10 oxhaqe, pesë kulme madhështore dhe oborre aq të mëdha sa të përfshinin dy hambarë dhe një kopsht.

Thomas Nash e hartoi testamentin ndërsa jetonte në New Place me Susanna-n dhe Elizabeth-ën. Edhe pse testamenti i Shekspirit ia kishte lënë tokën dhe pronën vajzës e mbesës së tij, “është e mundur që Thomas Nash e bëri këtë testament me mendimin se do të mbijetonte si Susanna-n, ashtu edhe Elizabeth-ën,” tha Gosling.



“Por në të vërtetë ai vdiq në vitin 1647, shumë i ri. Elizabeth ishte vetëm 39 vjeçe dhe më pas u rimartua. Susanna vdiq në vitin 1649.”

Susanna dhe Elizabeth hartuan një marrëveshje pronësore për të konfirmuar të drejtat e tyre. “Më pas Edward Nash e çon Elizabeth-ën në gjyq. Ai argumenton se testamenti i Thomas Nash ishte vërtetuar në gjykatën e pronës së Canterbury-t, dhe se Elizabeth, si vejë dhe ekzekutore, kishte për detyrë ta zbatonte dhe t’ia jepte New Place Edward Nash-it.”

Elizabeth u paraqit në gjykatën e kancelarisë për të shpjeguar se toka dhe prona i ishin dhënë asaj dhe nënës së saj nga “gjyshi im William Shakespeare”. Si pjesë e procesit ajo u detyrua të paraqiste testamentin e Thomas-it, gjë që bëri që dokumenti të përfundonte në arkivat e kancelarisë, që tani ruhen në Arkivin Kombëtar.

Rezultati i gjyqit nuk është i qartë, por, sipas Gosling, duket se Edward nuk e fitoi kurrë pronën. Kur Elizabeth vdiq më 1670, pa pasur fëmijë dhe duke i dhënë fund vijës së drejtpërdrejtë të pasardhësve të Shekspirit, ajo në testamentin e saj i dha Edward-it të drejtën për të blerë New Place.

“Ajo përdor fjalët ‘sipas premtimit që i kisha bërë më parë’, gjë që tregon se ka pasur marrëveshje verbale,” tha Gosling. Në fund nuk ka asnjë dëshmi që Edward të ketë qenë pronar i New Place, e cila kaloi tek familja e pasur Clopton pas vdekjes së Elizabeth dhe u shkatërrua në vitin 1702.

“Është një zbulim me shumë fat,” tha Gosling. “Rasti i kancelarisë dihej nga disa studiues të Shekspirit dhe përmendet në disa histori të Shekspirit, por gjithmonë duke iu referuar zbulimit të testamentit në shekullin XIX.”

Tani dokumenti origjinal është regjistruar, kataloguar dhe i hapur për publikun për herë të parë pas më shumë se një shekulli.

Burimi:The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë