Nga Gazeta “SI”- Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në malet Atapuerca ka hedhur dritë mbi praninë e hershme të faunës së klimës së ftohtë në Gadishullin Iberik. Një dhëmb dreri nordik, i datuar ndërmjet 243 mijë dhe 300 mijë vjet më parë, është gjetur së bashku me vegla prej guri në një shtresë sedimentare, duke ofruar provat më të hershme të jetës së epokave akullnajore në këtë rajon.
Zbulimi është rezultat i një studimi të përbashkët të kryer nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore (MNCN-CSIC), Qendra Kombëtare për Kërkime mbi Evolucionin Njerëzor (CENIEH) dhe Instituti Katalanas i Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Shoqëror (IPHES-CERCA).
“Gjetja e një dreri nordik në këtë gjerësi gjeografike është dëshmi se valët e ftohta të Pleistocenit të Mesëm prekën thellësisht ekosistemet iberike shumë më herët dhe me më shumë intensitet sesa besohej më parë,” deklaroi Jan van der Made, studiues në MNCN-CSIC.
“Fosili na ndihmon të përcaktojmë më saktë jo vetëm datimin e vendgjetjes, por edhe përmasat reale të periudhave akullnajore.”

Ky drer nordik i përket gjinisë Rangifer, dhe zbulimi e përfshin zonën e Atapuerca-s brenda të ashtuquajturës “Stepë e Mamuthit” , një hapësirë e gjelbër dikur e përhapur nga Evropa Perëndimore deri në Siberi, e banuar nga specie të përshtatura për klimën e ftohtë, si rinocerontët e leshtë dhe drerët nordikë.
“Ky zbulim është thelbësor për të kuptuar se si fauna e klimës së ftohtë lëvizte dhe se si komunitetet e hershme njerëzore përshtateshin ndaj ndryshimeve klimatike gjatë Pleistocenit të Mesëm, rreth 800 mijë deri në 125 mijë vjet më parë,” shtoi Ignacio Aguilar Lazagabaster nga CENIEH.
Sipas studiuesve, edhe pse shumë specie të epokave të akullnajave u tërhoqën drejt veriut gjatë periudhave më të ngrohta, gadishulli Iberik ka shërbyer si një strehë natyrore për kafshët dashamirëse të klimës së ngrohtë duke ofruar kështu një pasqyrë komplekse të historisë biogjeografike të rajonit.

Studiuesit besojnë se ky është vetëm fillimi i një tabloje më të gjerë mbi ndikimin e klimës në evolucionin e faunës dhe jetës njerëzore në Evropën Jugore. Zbulime të mëtejshme në Atapuerca dhe më gjerë mund të ndihmojnë në zbardhjen e më shumë detajeve rreth mënyrës se si ekosistemet dhe njerëzit e hershëm iu përgjigjën ndryshimeve drastike të klimës në prehistori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



