Nga Gazeta “SI”- Viti 2025 shënoi një revolucion në arkeologji, ku teknologjia moderne dhe gërmimet tradicionale bashkëpunuan për të rikthyer në dritë pjesë të harruara të historisë njerëzore. ADN-ja e lashtë po zbardh prejardhjen e qytetarëve të lashtë, imazhet satelitore po zbulojnë struktura gjigante në male dhe shkretëtira, ndërsa hartëzimi nënujore po nxjerr në pah anije të fundosura dhe qytete të humbura. Më poshte ju sjellim zbulimet arkeologjike që ridimensionuan historinë njerëzore.
Varri mbretëror Maja në Belize
Pas afro 40 vitesh gërmime në qytetin antik të Caracol-it, arkeologët Arlen dhe Diane Chase zbuluan një varr mbretëror 1,700-vjeçar, që daton rreth viteve 330–350 pas Krishtit. Ata mendojnë se varri i përket Te K’ab Chaak, sundimtarit themelues të dinastisë së Caracol-it.

Në varr u gjetën një maskë mortore prej nefriti dhe guaskash, stoli të çmuara dhe eshtrat e një burri të moshuar. Zbulimi sugjeron lidhje me qytetin e fuqishëm Teotihuacan në Meksikë, duke ndriçuar rrjetet kulturore të epokës.
Porti i fundosur që mund të çojë te varri i Kleopatrës
Arkeologia Kathleen Martínez zbuloi një port të fundosur pranë tempullit Taposiris Magna në Egjipt. Nën ujë u gjetën kolona, dysheme të lëmuara dhe spiranca, që tregojnë se zona ka qenë një qendër e rëndësishme detare.

Zbulimi mbështet teorinë se Kleopatra mund të ketë zgjedhur këtë vend për varrin e saj, megjithëse eshtrat e saj ende nuk janë gjetur.
Anije të Luftës së Dytë Botërore në Paqësor
Në Detin Iron Bottom pranë Ishujve Solomon, ekipi i Bob Ballard dokumentoi 13 anije të fundosura nga Beteja e Guadalcanal-it. Me ndihmën e mjeteve robotike u studiuan anijet japoneze dhe amerikane, duke treguar strategjitë ushtarake dhe kostot e larta njerëzore , mbi 27,000 të vrarë.

Varri i faraonit Thutmose II
Pas më shumë se një shekulli kërkimesh, u gjet varri i faraonit Thutmose II, që sundoi Egjiptin nga 1493–1479 p.e.s., pranë Luginës së Mbretërve. Brendësia e tij përmban mure të mbushura me hieroglife dhe tavan të pikturuar me motive qiellore, duke ofruar një pasqyrë unike të kulturës mbretërore të kohës.

Struktura gjigante në Ande
Në Peru, dronët zbuluan mijëra gropa në malin Monte Sierpe, të cilat mendohet se shërbenin si sisteme magazinimi dhe llogaritjeje për popujt çinça dhe më vonë për inkat.

Në Kili, imazhet satelitore zbuluan struktura guri në formë V-je, përdorur si kurthe për gjuetinë e vikunjave, duke treguar se shoqëritë andine formësuan peizazhin për nevojat e tyre të përditshme.
ADN-ja më e vjetër egjiptiane e analizuar
Në një varr 4,500-vjeçar në Egjipt u gjet skeleti i një burri brenda një ene balte. Analiza e ADN-së tregoi se 80% e prejardhjes së tij ishte nga Afrika Veriore dhe 20% nga Azia Perëndimore.

Studiuesit besojnë se ai ishte një punëtor i zakonshëm, jo ndërtues piramidash, duke ofruar një pamje më të detajuar të jetës së përditshme në Egjiptin e lashtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




