Nga Gazeta “SI”- Në Parkun Arkeologjik të Antigonesë po zhvillohen gërmime intensive nga një ekip italo-shqiptar, i cili prej disa vitesh kthehet rregullisht në këtë vend historik për të vijuar studimet dhe për të zbuluar elementë të rinj të qytetit të lashtë. Antigonea, e themeluar në shekullin III p.e.s., është një nga qendrat më të rëndësishme të Epirit dhe mbart vlera të jashtëzakonshme për historinë dhe kulturën shqiptare.
Arkeologët italianë nga Universiteti i Maçeratës shpjegojnë se kërkimet e këtij viti janë përqendruar kryesisht në zonën e agorasë, ku janë përfunduar disa gërmime të nisura më parë dhe janë hapur sektorë të rinj, veçanërisht në sektorin VIII. Gjatë punës, ekipi ka zbuluar mure të reja dhe struktura që ndihmojnë në kuptimin e zhvillimit urban të qytetit antik. Ata theksojnë se çdo ditë puna në terren sjell informacione të reja, duke e bërë procesin kërkimor të pasur dhe mjaft frytdhënës.
Një nga arkeologet italiane shprehet se përvoja në Antigone është tepër e vlefshme, pasi çdo gjetje e re u jep mundësi studiuesve të rindërtojnë më qartë jetën dhe funksionimin e qytetit në lashtësi.
Nga ana tjetër, drejtuesi i parkut, Shkëlqim Guçe, vë në dukje rëndësinë e veçantë të këtyre kërkimeve. Ai thekson se objektivi kryesor mbetet identifikimi i teatrit antik, një element që ende mungon në hartën e zbuluar të Antigonesë.

“Çdo qytet i lashtë kishte akropolin, agoranë, nekropolin dhe teatrin. Në Antigone, të gjitha këto janë identifikuar, përveç teatrit, i cili është thelbësor për të kuptuar plotësisht strukturën dhe jetën e qytetit,” – shprehet për mediat Guçe.
Gërmimet do të vazhdojnë edhe për dy javë të tjera. Çdo zbulim i ri do të dokumentohet me kujdes, duke u bërë pjesë e studimeve të mëtejshme dhe duke kontribuar në pasurimin e njohurive mbi qytetërimin e hershëm të kësaj zone. Përveç aspektit shkencor, këto kërkime ndihmojnë gjithashtu në rritjen e interesit turistik për Parkun e Antigonesë, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme për vizitorët vendas dhe të huaj që kërkojnë të njohin historinë dhe trashëgiminë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



