Trashëgimi

Zbulim i rrallë në Ulpianë: Mozaik kushtuar Perandorit Justinian dhe Teodorës

Nga Gazeta “SI”- Arkeologët që kanë qenë duke punuar në Ulpianë, një qytet i lashtë në rajonin e Dardanisë në Kosovë, kanë zbuluar një mozaik të rrallë me dedikim për perandorin bizantin Justinian I (527–565 të e.s.) dhe bashkëshorten e tij, Teodora.

Zbulimi, i bërë publik nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është i dyti i këtij lloji që gjendet në këtë sit gjatë viteve të fundit.

Ulpiana, një qendër e lulëzuar e provincës romake të Dardanisë, kishte njohur zhvillim të madh nga shekulli i parë deri në shekullin e gjashtë të erës sonë. Qyteti u shkatërrua nga një tërmet i fuqishëm rreth vitit 518 të e.s., por u rindërtua gjatë sundimit të Justinianit, i cili kishte lindur në këtë rajon.

Dy vite më parë, arkeologët zbuluan një mbishkrim që dokumentonte rindërtimin e qytetit si “Justiniana Secunda”. Ndërkohë, mozaiku i sapo gjetur përkujton ndërtimin e një bazilike episkopale dhe përbën një nga dedikimet e rralla të njohura për Justinianin në vendin e tij të origjinës.

“Ky është një zbulim që formëson historinë,” u shpreh ministri Çeku, duke e cilësuar atë si një “dedikim të fuqishëm nga Perandori Justinian” për qytetin e Dardanisë dhe kishën e tij. Sipas tij, ky është një hap i madh në pasurimin e njohurive mbi historinë e hershme të rajonit.

Gërmimi arkeologjik është kryer nga Christophe Goddard, Arben Hajdari  dhe Milot Berisha, në kuadër të një projekti kërkimor shkencor në Vendin Arkeologjik të Ulpianës.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vuri në dukje rëndësinë e këtij zbulimi. “Në rrënojat e qytetit romak të Ulpianës, jo larg nga Prishtina, arkeologët kanë bërë një gjetje interesante: një mbishkrim nga Perandori Justinian.  Një dëshmi e rrallë e lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës  dhe një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar,” tha ai.

Ministri Çeku shtoi se mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë arkeologjike të Kosovës po trajtohet me një seriozitet të paprecedentë. Gërmimet në Ulpianë dhe Dresnik po zhvillohen në tokë publike të shpronësuar vitin e kaluar, duke mundësuar kështu kërkime më të gjera.

Ai theksoi se janë duke u zhvilluar përpjekje intensive për hartimin e planeve të konservimit dhe menaxhimit, forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e studimeve dhe botimeve shkencore.

“Arkeologjia vazhdon të na sjellë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim të kërkojmë dhe ta mbrojmë atë,” përfundoi Çeku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë