Nga Gazeta “SI”– Një studim i ri nga antropologët e Universitetit të Vjenës ka hedhur dritë mbi një periudhë vendimtare të evolucionit njerëzor, kur neandertalët po zhdukeshin dhe Homo sapiens po përhapej në Euroazi. Në qendër të këtij zbulimi qëndron një fragment i vogël kocke, vetëm pesë centimetra i gjatë, që u identifikua si fosili i një individi neandertal, një dëshmi e rrallë nga 44.000–46.000 vjet më parë.
Zbulimi u krye në strehimoren shkëmbore Starosele, në Gadishullin e Krimesë. Antropologia Emily M. Pigott dhe ekipi i saj analizuan më shumë se 150 fragmente kockash të paidentifikuara duke përdorur metodën Zooarchaeology by Mass Spectrometry (ZooMS), një teknikë moderne që lejon identifikimin e specieve në bazë të kolagjenit. Më shumë se 90 për qind e kockave rezultuan të ishin të kalit dhe kaprollit, ndërsa të tjerat i përkisnin mamutëve dhe ujqërve. Por një fragment i vetëm bëri që studiuesit të ndaleshin.
Pasi u analizua me mikro-CT, kocka u identifikua si pjesë e një kofshe njerëzore. Datimi me radiokarbon tregoi se fragmenti kishte një moshë të jashtëzakonshme, ndërsa analiza gjenetike konfirmoi prejardhjen e tij neandertalase. Akoma më intriguese është se ADN-ja tregoi lidhje të forta me neandertalë nga rajoni Altai i Siberisë, rreth 2.900 kilometra larg, si edhe me popullsi të neandertalëve të Evropës Qendrore.

Sipas Pigott, këto të dhëna përfaqësojnë një dritare të rrallë në kohën kur popullsitë e Neandertalëve po lëviznin nëpër Euroazi.
“Në të gjithë kontinentin, shumë pak fosile njerëzore i përkasin kësaj faze vendimtare dhe edhe më pak mbartin informacion gjenetik,” – thekson ajo.
Ekipi i studiuesve sugjeron se migrime periodike mund të kenë lidhur Krimenë me Azinë Qendrore dhe Evropën, veçanërisht gjatë intervaleve të klimës së butë në Pleistocenin e Vonë. Në këtë mënyrë, neandertalët nuk ishin grupe të izoluara, por popullsi që ndërvepronin në distanca të gjata.
Ky zbulim pasuron hartën e lëvizjeve të njerëzve të lashtë dhe nxit kërkime të reja për të kuptuar se si u ndërthurën dhe u zhdukën popullsitë parë-njerëzore. Një copëz kocke, e humbur për mijëra vjet, kthehet kështu në një dëshmitar kyç të historisë sonë më të hershme.
Burimi: Archaeology News
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



