Trashëgimi

Zbulim i ri arkeologjik në Memaliaj

Nga Gazeta “SI”– Fortesa e Matohasanajt, e vendosur në zonën midis Memaliajt dhe Tepelenës, po rizbulohet si një qendër me rëndësi të veçantë historike.

Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Sweet Briar” të SHBA-së, ka zhvilluar së fundmi gërmime intensive në këtë sit, në kuadër të projektit më të gjerë “Arkeologjia e Peizazhit në Zonën Memaliaj-Tepelenë”.

Një nga zbulimet më domethënëse është një godinë me funksion publik, që daton në shekujt III–II para erës sonë, me gjurmë rindërtimesh dhe ndërhyrjesh të mëvonshme gjatë Antikitetit të Vonë. Po ashtu, është identifikuar edhe një nga hyrjet kryesore të fortesës. Vëzhgimet në terren kanë sjellë në dritë struktura të tjera të lidhura me mjedise banimi, si dhe trase të reja murature, që hedhin dritë mbi mënyrën e organizimit hapësinor të kësaj qendre.

Këto gjetje po e ndryshojnë ndjeshëm perceptimin mbi rolin e Matohasanajt në lashtësi. Ajo që më parë konsiderohej një fortesë me funksion ekskluzivisht ushtarak, po del në pah si një qendër me funksione të larmishme, ku ndërthureshin ndërtesat publike dhe ato private, duke dëshmuar për një komunitet të gjallë dhe të organizuar.

Punimet u realizuan me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë